Finalizohet faza e 30-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”. Policia bën me dije se në kuadër të këtij operacioni, u asgjësuan këtë të enjte 742 bimë narkotike kanabis, të cilat u gjetën të kultivuara në Malësinë e Krujës.
Në pranga ka përfunduar një 32-vjeçar i dyshuar si autor i kultivimit të 150 prej tyre, në vendin e quajtur Çinar, Sakaq bëhet me dije se ëshë shpallur në kërkim dhe vëllai i tij.
Më parë, në kuadër të këtij operacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 17 213 bimë narkotike kanabis.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të fazës së 30-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në Malësinë e Krujës, u gjetën të kultivuara 742 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve u arrestua njëri prej autorëve të dyshuar për kultivimin e 150 bimëve në vendin e quajtur Çinar, shtetasi G. L., 32 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi H. L., 29 vjeç, të dy banues në fshatin Bura, Nikël”, thuhet në njoftimin e policisë.