Shpallet në kërkim “pronari” i plazhit në Ksamil, zaptoi pa leje hapësirat

19 July 2023, 20:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shpallet në kërkim “pronari” i plazhit në Ksamil,
Plazhi Laguna, Ksamil

Pronari i plazhit “Laguna” në Ksamil është shpallur në kërkim nga policia.

60-vjeçari, Resul Piro akuzohet se ka ndërtuar dhe ka vendosur pa leje 120 çadra dhe 240 shezlongë në një sipërfaqe që është pronë e shtetit dhe në një tjetër që është pronë e tij.

Çadrat dhe shezlongët u sekuestruan gjatë një aksioni nga policia. Sakaq, tre punonjës të IVMT në Bashkinë Sarandë janë nën hetim për rastin.

V.XH., E. Z. dhe B. K., 62, 48 dhe 37 vjeç akuzohen se duke mos vepruar kanë lejuar ndërtimin pa leje nga ana e Resul Piros. Hetimet po zhvillohen për 4 vepra penale.

Njoftimi i Policisë:

Ndërtuan pa leje një lokal plazhi, procedohet 1 shtetas si dhe 3 punonjës të IMT së Bashkisë.

Gjatë kontrolleve të territorit në vijën bregdetare në jug të vendit, IKMT në bashkëpunim me Policinë e Sarandës konstatuan një lokal plazhi pa leje.

U referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpall në kërkim R.P., për veprat penale "Ndërtimi i paligjshëm" dhe "Pushtimi i tokës" për objektin dhe punimet përreth, në zonën e njohur si "Laguna".

Ai dyshohet se ka kryer punime pa lejen e autoriteteve përkatëse.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 3 punonjës të IMT së Bashkisë Sarandë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës". Ata dyshohet se duke mos vepruar, kanë lejuar ndërtimin pa leje të objektit në bregdet.

Autoritetet kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 120 çadra dhe 240 shezlonge.

Policia e Shtetit dhe IKMT janë të vendosura për të mos toleruar në asnjë rast paligjshmërinë dhe do të intensifikojnë kontrollet për të goditur çdo tentativë, për ndërtime pa leje apo shkelje të tjera.


Video