
Deputetja e PD-së, Flutura Açka ka bërë një denoncim të fortë nga foltorja e Kuvendit në lidhje me marrëveshjen e qeverisë për t’ia dhënë një fondacioni privat menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit.
Ajo deklaroi se një nga anëtarët e bordit të fondacionit për menaxhimin e Butrintit, është shprehur disa herë kundër, madje ka botuar edhe libra kundër Butrintit. Sipas deputetes demokrate, anëtari i bordit Richard Hobbs ka deklaruar se mbetja e Butrintit jashtë Greqisë kur u ndanë kufijtë, ishte një fatkeqësi e madhe.
“Çështjen e Butrintit e kam ndjekur me vëmendje, kam pyetur disa kolegë të mi nëse e kanë lexuar atë planin e famshëm me 130 faqe, s’mora asnjë përgjigje, nuk dinë fare se çfarë bëhet. E kanë votuar me sy mbyllur. Disa emra që janë marrë me arkeologjinë, kanë folur mbi këtë çështje, askush nuk i ka dëgjuar. Një devijim që mund t’i ndodhë historisë së Butintit, një farë Richard Hobs, ka botuar libra kundër Butrintit, duke thënë se ka qenë një fatkeqësi që ndarja e kufijve e zuri Butrintin jashtë Greqisë. Ky njeri të jetë anëtar bordi?”, u shpreh Flutura Açka.