
Prokuroria Publike e Milanos ka kërkuar gjykim të menjëhershëm për Bleona Tafallarin, 19-vjeçarja nga Kosova e cila mban nofkën “Luanesha e ISIS-it”.
Ajo u arrestuar 17 nëntorin e kaluar në Itali për terrorizëm ndërkombëtar dhe akuzohet se është pjesë e një grupi fundamentalist islamik me bashkëshortin e saj dhe ishte gati të shkonte për të luftuar.
Sipas prokurorisë, vajza kishte përqafuar radikalizmin xhihadist që në moshë të vogël kur ishte martuar me një muxhahedin 21-vjeçar nga Kosova. Bleona Tafallari ishte akomoduar në mesin e të miturve të shtetit islamik, pa fshehur ambicie për të shkuar dhe për të luftuar kundër “armikut perëndimor”. 19-vjeçarja ishte një mbështetëse e përkushtuar e ISIS-it për të paktën tre vjet dhe së bashku me të shoqin ishin pjesë e grupit të quajtur ‘Luanët e Ballkanit’. Përveç kësaj, biseda të zbuluara nga autoritetet nxorën në pah se ajo kishte lidhje dhe me autorin e sulmit të Vjenës Kujtim Fejzullai
Në pyetjen para gjyqtarit hetues e më pas edhe prokurorëve, e reja mbrohej gjithmonë duke shpjeguar se nuk kishte bërë asnjëherë propagandë dhe se nuk e kishte menduar asnjëherë “të bëhej dëshmore, as të shkonte për të luftuar”.
Sipas drejtësisë italiane, Bleona Tafallari ka qenë gjithmonë e lidhur me smartfonin e saj, në të cilin kalonte orë të tëra duke biseduar. Ajo që uvu re ishte përdorimi i flamurit të Shtetit Islamik si ‘emoji’-i më i shpeshtë. Gjithashtu në telefonin e saj janë gjetur edhe imazhe e video të mizorive të ndryshme si prerje kokash të kryera nga terroristët e ISIS-it.
Ajo gjithashtu kishte biseda të shumta në telefonin e saj ku i qortonte bashkëmoshataret e saj për mosrespektim dhe zbatim të urdhrave fetare, derisa nuk hezitonte që t’i këshillonte dhe t’i bindte.
Tafallari në qindra biseda e kishte përdorur pseudonimin “nusja pelegrine”, derisa këto diskutime janë bërë në “Telegram” për të ruajtur konfidencialitetin.