Gazetari Blendi Fevziu ka deklaruar se Shqipëria nuk ka patur raporte me Iranin derisa u strehuan në vendin tonë muxhahedinët. Sipas gazetarit marrëdhëniet me Iranin u tensionuan pikërisht për strehimin e muxhahedinëve.
“Raportet mes Shqipërisë dhe Iranit ka qenë problematike, kjo për një periudhë afatgjatë për arsye të vendosjes se muxhahedinë në Shqipëri. Janë vendosur në Manzë të Durrësit. Raportet Shqipëri-Iran kanë qenë zero deri në momentin që muxhahedinët u larguan nga Iraku bashkë me SHBA dhe një pjesë janë vendosur në Shqipëri. Këtu lindi tensioni dhe konflikti me Iranin”, u shpreh gazetari në EuroNews Albania
Fevziu u shpreh më tej se vendimi i qeverisë shqiptare për dëbimin e diplomatëve iranianë ishte i domosdoshëm.
“Ne kemi pasur disa tentativa të Iranit të deklaruara, të denoncuara nga shërbimet sekrete për të bërë terror në Shqipëri. Zgjidhja e Shqipërisë, vendimi i Shqipërisë ishte i domosdoshëm. Një ambasadë e Iranit me një personal kaq të madh në Tiranë ishte një bazë operative për shërbimet inteligjente që dëmtonte sigurinë e Shqipërisë”, tha më tej Fevziu.
Sipas Fevziut Shqipëria nuk ka pasur raporte me Iranin, por situata ndryshoi pas ardhjes së muxhahedinëve në vendin tonë. Ai u shpreh se pavarësisht vendimit të qeverisë shqiptare për largimin e stafik diplomatik, muxhahedinët nuk duhet të largohen.
“Raportet e Shqipërisë me Iranin kanë qenë zero. Nuk kemi pasur asnjë lloj raporti. Muxhahedinët erdhën kryesisht në Shqipëri, ku ka një aktivitet të vazhdueshëm politik kundër Iranit. Këtu ka nisur konflikti i Shqipërisë me Iranin. Irani nuk ka guxuar të ndërmarrë atentate ose akte terroriste ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
Ne nuk mund t’i largojmë muxhahedinët sepse ne kemi vendosur t’i pranojmë dhe t’i marrim në Shqipëri. Është një vendim solidariteti dhe në një raport parteriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur je në NATO, ke disa detyrime, natyrisht, aktiviteti i tyre duhet kontrolluar”, theksoi ai.
Kryeministri Edi Rama kërkoi një ditë më parë që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria.
Gjatë një fjalimi të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pas u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.