Edi Rama për Hashim Thaçin: Ai do të mbetet përgjithnjë njeriu që u bë njësh me fatin!

28 October 2025, 11:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama për Hashim Thaçin: Ai do të mbetet
Edi Rama/ Hashim Thaçi

Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim në mbështetje të Presidentit Hashim Thaçi, duke theksuar se emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai është nxitur nga reagimet në internet, nga komentues të ndryshëm, të cilët ai i quan "tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e  urojnë të mos dalë më kurrë prej aty."

Kryeministri shqiptar e konsideron turp për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për ata që i quan shqipsharësit digjitalë.

"A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!", shkruan Edi Rama.

Kujtojmë se ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u arrestua në nëntor të vitit 2020, bashkë me tre ish-udhëheqësit e tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në datën 26 tetor të 2020.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.


Video