
Mbi 42 mijë foto dhe video me përmbajtje të abuzimit seksual janë gjetur në një faqe internet shqiptare. Ka qenë Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al, ajo e cila ka bërë zbulimin dhe e cilëson këtë si një nga rastet më të rënda të hasura deri më sot.
Sipas deklaratës, vetëm gjatë muajit qershor, ekspertët e qendrës zbuluan 42,624 materiale në këtë faqe dhe e raportuan menjëherë rastin te autoritetet policore, duke kërkuar që materialet të hiqen nga interneti dhe të nisin hetimet.
Gjatë verifikimit rezultoi se fotot dhe videot ishin publikuar në një faqe internet e cila mbartje adresën “.al”, dhe kjo tregon se faqet e regjistruara në Shqipëri po përdoren për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve të paligjshme.
Altin Hazizaj, drejtor i CRCA NË Shqipëri, është shprehur: "Fakti që vetëm gjatë një muaji u identifikuan mbi 42 mijë materiale me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në një faqe me domain .AL është jashtëzakonisht alarmues. Ky rast tregon se Shqipëria nuk është e paprekshme nga këto forma të kriminalitetit dhe se nevojiten masa shumë më të forta për monitorimin e internetit, hetimin e autorëve dhe mbrojtjen e fëmijëve.”
Qendra iSIGURT.al u bën thirrje qytetarëve që në rast se hasin materiale të cilat dyshohet se përmbajnë abuzim seksual të fëmijëve, t’i raportojnë menjëherë në platformën e saj.