Policia ka gjetur në banesën e Aleksandër Sadikajt në Sauk një jelek antiplumb, municione dhe një kavanoz me kanabis.
Duke qenë se grupi hetimor gjeti edhe një pistoletë të cilën 27-vjeçari e mbante me vete, janë ngritur dyshime te forta se i riu i druhej ndonjë atentati. Për këtë po verifikohet nëse viktima është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve te fundit.
Për policinë është ende i paqartë vendi ku është montuar lënda plasëse, ndaj po verifikohen kamerat bazuar itinerarit që ka ndjekur viktima, nga rruga "Irfan Tomini" një natë para ngjarjes, tek banesa e tij në Sauk dhe autostrada Tiranë-Elbasan, para momentit te ngjarjes. Hetuesit janë të bindur se objektiv i atentatit ka qenë Aleksandër Sadikaj edhe pse targat figuronin në emër të një tjetër personi. Viktima ka blerë automjetin pesë muaj më parë, por nuk kishte bërë ndryshimin e pronësisë së mjetit.