Policia e Korçës vendosi këtë të mërkurë sekuestro ndaj një hoteli që është në pronësi të 60-vjeçares me iniciale L.K., por nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal i 34-vjeçarit Erion Demolli.
Bëhet fjalë për një pasuri me sipërfaqe 182 m² truall, ndërtesë 147 m² dhe kat shtesë 176 m², në rrugën “Naum Voskopoja” tek Pazari i Vjetër.
Erion Demolli është një nga 23 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Limit” në vitin 2019 dhe është dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Aksioni i policisë nisi pas një hetim tre vjeçar që çoi në shkatërrimin e katër grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së.
Të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, Erion Demolli dyshohet se i ka investuar në biznesin në emër të 60-vjeçares, me të cilën ka lidhje familjare.
Më poshtë, VoxNews.al po ju sjell pamjet brenda hotelit luksoz që u sekuestrua ditën e sotme nga uniformat blu të qytetit juglindor.