Ekskluzive/ SPAK për Vox News konfirmon kallëzimin për Metën dhe kujdeset të theksojë se nuk është ende nën hetim

15 June 2022, 13:25Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive/ SPAK për Vox News konfirmon kallëzimin për Metën
Në foto: Ish-deputeti Halit Valteri, presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Pak ditë më parë gazeta më e madhe austriake “Kronen Zeitung”, publikoi fakte të rënda në lidhje me financimin e lobimit që Presidenti në detyrë Ilir Meta ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gazeta ngre pikëpyetje për vizitën e Metës në Uashington dhe burimin e financimit të këtyre parave.

Sipas gazetës bëhet fjalë për shifra që kapin vlera qindra mijëra euro për lobim duke përdorur kompani të regjistruara në zona offshore për të shmangur burimin e të ardhurave, por dhe deklarimin në organet që kanë detyrë të kontrollojnë financimin e partive apo dhe politikanëve në Shqipëri, siç është KQZ dhe ILDKPKI.

Pak ditë më parë lidhur me këto akuza, por dhe prova të tjera të mbledhura në rrugë zyrtare dhe operative, ish-deputeti Halit Valteri bëri një kallëzim penal ndaj Ilir Metës, bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ish-deputetit Vangjel Tavo dhe administratorit të kompanisë Dorelita  Limited, Iraklis T. Fidetzis.

Vox News u interesua pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), a është regjistruar si procedim dhe a është hedhur shorti për këtë kallëzim të bërë nga deputeti, Halit Valteri.

Më poshtë pyetja që Vox News i dërgoi koordinatores për mediat pranë SPAK, znj. Xhuljeta Krasta.

“Përshëndetje Znj. Krasta. Një javë parë ish-deputeti Halit Valteri bëri një kallëzim në SPAK për presidentin në detyrë Ilir Meta dhe tre zyrtarë të tjerë. Në bazë të drejtës për informim dhe interesit publiku do të donim të dinim nëse është regjistruar si procedim dhe a është hedhur shorti për këtë kallëzim? Nëse po, cili është prokurori apo prokurorët që do e hetojnë? Në pritje të përgjigjes, me respekt Vox News”.

Në përgjigje të pyetjes së redaksisë, SPAK ka konfirmuar faktin që në Prokurorinë së Posaçme është paraqitur një kallëzim penal nga shtetasi, Halit Valteri.

Ajo që bie ne sy të në përgjigjen e Prokurorisë është fakti se janë kujdesur që të theksojnë se nuk është regjistruar asnjë person nën hetim, përgjigje që ne nuk e kemi kërkuar ndërsa, nuk thanë se kush është prokurori që do e ndjek këtë kallëzim.

“Konfirmojmë faktin që në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur një kallëzim penal nga shtetasi Halit Valteri. Kallëzimi pasi është vlerësuar nga Prokuroria e Posaçme është vendosur regjistrimi i procedimit penal nr.122/2022 për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, parashikuar nga nenet 259 dhe 190/3 të Kodit Penal. Aktualisht nuk është regjistruar emri i ndonjë personi si person nën hetim në këtë procedim penal”, thotë SPAK në përgjigjen për Vox News.

Në kallëzimin që Vox News e disponon të plotë, ish-deputeti Halit Valteri e akuzon Presidentin në detyrë për korrupsion aktiv dhe pasiv, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre. Në arsyetimin e tij, Valteri thekson se disponon të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale.

Duke cituar artikuj të publikuar në media, Halit Valteri flet për kontrata lobimi në SHBA që i paraprinë fushatës zgjedhore të vitit 2017, për të cilat thotë se nuk janë deklaruar nga LSI. Sipas tij, ato janë financuar përmes kompanive offshore në Qipro. Lobimi – thotë Valteri– është bërë për kauza të rreme, me qëllim dezinformimin e zgjedhësve, duke i bërë të mendojnë se LSI ka përkrahjen e Qeverisë Amerikane.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video