Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar menjëherë pas pamjeve të transmetuara në media nga ambientet e GJKKO, ku mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj bllokuan për disa minuta furgonin e policisë që transportonte atë drejt institucionit të paraburgimit në Durrës.
Sakaq, sipas Bardhit, protestuesit kanë tentuar të pengojnë dhe kanë goditur makinat e prokurorëve dhe gjyqtarëve pas vendimit të GJKKO për të lënë në qeli kryebashkiakun.
Bardhi ka sulmuar ashpër drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën, pasi sipas tij, nuk kishte kordon policie rreth GJKKO-së gjatë gjyqit ndaj Erion Veliajt.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi duke e quajtur Prodën një horr të bandave në krye të Policisë së Shtetit, tha se ai lejoi turmën e drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës që të sulmonin prokurorët e gjyqtarët në krye të detyrës.
Reagimi i Bardhit:
Horri i bandave në krye të Policisë së Shtetit që lejon turmën e batakçinjëve të Bashkisë së Tiranës që të pengojnë makinat e prokurorëve, gjyqtarëve dhe të korruptuarit Erion Veliaj të hyjnë e dalin lirisht nga GJKKO, duke refuzuar të marrë masat për të garantuar rendin publik, duhet të shkarkohet e ndiqet menjëherë penalisht për shpërdorim detyre.
Guximi i tij për të lejuar turmën e drejtorëve batakçi të Bashkisë Tiranë për të sulmuar në ambientet e punës gjyqtarë e prokurorë, është guxim prej krimineli që me ndërgjegjie shkel ligjin. Duhet ndëshkim, menjëherë!