Dorëheqja e Cakranit, publikohet letra e Metës: Kam vendosur të kem një avokat që të jetë tërë kohën në dispozicionin tim

30 June 2026, 14:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dorëheqja e Cakranit, publikohet letra e Metës: Kam vendosur të
Ilir Meta

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar letrën e ish-presidentit Ilir Meta ku i ka njoftuar avokatit Kujtim Cakrani vendimin për të mos u përfaqësuar më prej tij.

Meta thotë se ngarkesa e çështjes së tij në themel e për GJEDNJ e ka bërë të vendosë për të pasur një avokat që merret ekskluzivisht vetëm me të, pa angazhime të tjera. 

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, përshkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes sime, jo vetëm në themel, por edhe për GJEDNJ, kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën”, shkruan kryetari i PL.

Në letër, ai i kërkon Cakranit që materialet e deritanishme t’ia dorëzojë Blushit, ndërsa për shpenzimet financiare do të kujdeset motra e tij. Gjithashtu i shkruan se do të njoftojë edhe Gjykatën e Posaçme për ndryshimin e mbrojtjes.

“Me konsideratë të veçantë”, i shkruan Meta Cakranit në fund të letrës.

Në postim, Blushi shkruan se Meta s’ka dashur ta bëjë publike çështjen, por ky njoftim po publikohet për të shuar çdo spekulim. Ai thotë se çdo interpretim është përpjekje për të larguar vëmendjen nga protestat për Zvërnecin dhe 5 kërkesat e tubuesve.

Blushi nënvizon se prej dy muajsh SPAK e GJKKO nuk i japin ish-kryeministrit arkivin e çështjes duke vonuar fillimin e procedurave në Gjykatën e Strasburgut.

“Për arsye etike dhe integriteti, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, nuk ka dashur të bëjë publike një çështje që nuk është interes publik, siç është rasti i mbrojtjes së Zvërnecit apo zonave të tjera të mbrojtura, por që ka patur lidhje vetëm me marrëdhëniet e tij me ish-avokatin e tij, Z. Kujtim Cakrani.

Megjithatë, për t’i dhënë fund çdo spekulimi, jam i detyruar të bëj publik njoftimin që, me porosi të Z. Meta, i kam dërguar 24 orë para Av. Cakrani.

Çdo interpretim përtej përmbajtjes së këtij njoftimi është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga protestat, jo vetëm për mbrojtjen e Zvërnecit dhe zonave të tjera të mbrojtura, por edhe nga pesë kërkesat kryesore të protestuesve, që kanë rrethuar aktualisht Parlamentin.

Ndërkohë, prej dy muajsh, SPAK dhe GJKKO kanë përdorur çdo mjet procedurial në kundërshtim me ligjin, për të mos i vënë në dispozicion Z. Meta arkivin e domosdoshëm të çështjes, duke i vonuar qëllimisht nisjen e procedurave në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Patronazhist nuk lind, por patronazhist bëhesh dhe sot Edi Rama ka më shumë nevojë për ta”, shkruan Blushi.

Një ditë më parë, në deklaratën e studios ligjore të Cakranit thuhej se marrëdhënia mes avokatit e Metës është mbyllur për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve. Vendimi është marrë pas seancës së fundit gjyqësore dhe në përputhje me rregullat etike të profesionit, vijonte më tej.


Video