Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me masakrën e Venecias, ku viktima ishin tre shqiptarë. Viron Karabollaj, 40 vjeç, vrau me thikë ish-bashkëshorten Mynevere Karabollaj (Myrta), 37 vjeç, e njohur si "Vera" dhe të dashurin e saj Flonino Merkuri , 23 vjeç.
Ishte vajza 15-vjeçare që zbuloi tragjedinë. Pasi ishte kthyer nga një festë me miqtë zbuloi trupin e pajetë të 23-vjeçarit Mërkuri në garazhin e kësaj banese ku ajo jetonte me të ëmën dhe motrën 13-vjeçare të paralizuar, e cila ndodhej në atë kohë tek gjyshja.
Vajza njoftoi policinë pasi nuk po lidhej dot në telefon me të ëmën, trupi i të cilës u gjet më pas pa jetë në katin e parë të shtëpisë. Ndërsa ai i të atit, autorit të masakrës, u gjet nga policia një orë më vonë. Fqinjët thonë se Vera ishte një vajzë shumë e sjellshme, ndërsa shprehen të shokuar për krimin.
Në trupin e Flonino Mërkurit u gjetën edhe shenja dhune, veç atyre të prerjes me thikë, çka tregon se 23-vjeçari mund të jetë përleshur me ish-bashkëshortin e partneres.
E ndarë nga i shoqi tre vjet më parë, Vera jetonte me dy vajzat e saj në Spinea (Venecia). Prej një viti e gjysmë kishte një partner të ri. Një lidhje që mund të ketë shkaktuar xhelozinë e ish-it që i vrau të dy të dielën e 20 nëntorit dhe më pas u vetëvar.
Prokurorët në Venecia thanë se ai e kishte planifikuar krimin, pasi nuk e pranonte lidhjen më shumë se 1-vjeçare të ish-bashkëshortes dhe nënës së fëmijëve të tij. E gjendur në vështirësi financiare, vitet e fundit Vera punonte si estetiste në shtëpi.