
Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e filialit të “Bankës Kombëtare Tregtare” mesditën e kësaj të hëne në Koplik të Malësisë së Madhe.
Sipas të dhënave të mbledhura nga grupi hetimor, grabitja e filialit të bankës ka zgjatur 7 minuta. Ajo dyshohet se ka qenë e planifikuar prej kohësh, kjo për faktin se autorët kanë vepruar me shpejtësi dhe janë larguar përmes një terreni të studiuar më parë. Tre grabitësit e maskuar dhe të armatosur kanë shfrytëzuar momentin e ndërrimit të turneve mes rojeve që ruajnë bankën.
Një efektiv i policisë kufitare, raportohet se është ndeshur me grabitësit sapo ata kanë dalë nga banka, por nuk ka mundur të ndalojë asnjë prej tyre, pasi është gjendur nën kërcënimin e armëve.
Operacioni për kapjen e grabitësve vazhdon prej disa orësh ku janë angazhuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, RENEA dhe një helikopter.
Burime bëjnë me dije se policia ka përqendruar kontrollet në zonat kufitare me Malin e Zi, ku dyshimet janë se grabitësit mund të jenë larguar drejt vendit fqinj përmes kufirit të gjelbër ose përmes liqenit.
Ende nuk dihet shuma që mund të kenë marrë grabitësit. Pas marrjes së parave, autorët janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre tip “Golf” të cilin e kanë djegur në dalje të Koplikut. Pasi dogjën makinën e tyre, ata i kanë grabitur një qytetari të rastit një mjet tip “Mercedez Benz” dhe më pas janë larguar me të.
I çuditshëm është fakti se grabitësit nuk kanë përzgjedhur një zonë të pabanuar për djegien e makinës, por rrethrrotullimin që të lidh me aksin nacional Shkodër-Hani i Hotit, ku ka lëvizje të shumta nga shqiptarë dhe të huaj.