Një 29-vjeçar shqiptar, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe i kërkuar nga autoritetet franceze për trafik droge, është arrestuar në Barcelona nga agjentët e Gardës Civile spanjolle.
Sipas mediave spanjolle, i riu u kap në zonën e Passeig de Gràcia, ndërsa në momentin e arrestimit mbante me vete një pistoletë tip “Makarov” të mbushur me shtatë fishekë, e konsideruar “gati për përdorim”, si edhe dokumente false identifikimi.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj 29-vjeçarit ishin lëshuar dy urdhër-arreste europiane nga Franca për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale. Po ashtu, ai kërkohej edhe nga një gjykatë në Barcelonë për vjedhje automjetesh.
Pas një operacioni ndjekjeje, agjentët e Gardës Civile arritën ta neutralizonin dhe arrestonin të dyshuarin, duke i sekuestruar armën me origjinë sovjetike, e cila përdor municion 9x18 mm.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe dokumente false me shtetësi greke, që dyshohet se përdoreshin për identitete të rreme, si dhe 1.470 euro cash.
Pas arrestimit, shqiptari u paraqit para Audiencës Kombëtare përmes lidhjes telematike nga Gjykata e Barcelonës.