Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të shpallur antikushtetuese masën e parë të “arrestit në burg”, të vendosur nga GJKKO në shkurt të vitit 2025, masë e cila u konfirmua më vonë nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë.
Seanca nisi në orën 10:00 dhe u mbajt me dyer të mbyllura mbi bazë dokumentesh dhe pa praninë e palëve.
Pas rreth dy orësh, mbledhja përfundoi pa një vendimmarrje. Mësohet se Kushtetuesja pritet të shprehet në ditët në vijim.
Në dosjen e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Veliaj shprehet se i është cenuar liria individuale, por duke qenë se është Kryetar i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën. Veliaj ka argumentuar se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, për shkak se ai jo vetëm që është qytetar, por edhe i zgjedhur sipas Kushtetutës.
Në ankimin e tij, Veliaj thotë se nuk janë analizuar kriteret për vendosjen e masës së sigurimit, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që të gjithë, pasi kalon një periudhë kohore, duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore.