
Një 56-vjeçar dhe djali i tij 24-vjeçar janë arrestuar në Lushnjë, pasi gjatë kontrolleve policia u gjeti kokainë, një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Policia bën me dije se në kuadër tëv operacionit “Fokusi”, në pranga kanë rënë Sh. H., 56 vjeç, dhe H. H., 24 vjeç, të dy banues në fshatin Hajdaraj, Lushnjë.
Sipas Policisë, shërbimet e Patrullës ndaluan në qytetin e Lushnjës automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë. Më pas, kontrollet vijuan në banesën e familjes, ku efektivët gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me municion luftarak. Sipas Policisë, arma dyshohet se mbahej nga 56-vjeçari.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe atë të narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar “Fokusi”. Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit Sh. H., 56 vjeç dhe H. H., 24 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Hajdaraj, Lushnjë.
Shërbimet e Patrullës së Policisë kanë ndaluar në qytetin e Lushnjës automjetin që drejtohej nga shtetasi H. H. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak për të, që dyshohet se i posedonte 56-vjeçari. Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me sasinë e kokainës dhe automjetin.
Vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo fushë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftim.