Prokurori Altin Dumani është zgjedhur kreu i ri i SPAK me 5 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë Prokurorisë. Ai zëvendëson në këtë post Arben Krajën.
4 vota të tjera kanë shkuar për Edvin Kondili dhe një votë për Adnand Xholin. Mandatin e kreut të SPAK, Dumani do ta marrë më datë 19 dhjetor dhe do të jetë për 3 vite në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Seanca e sotme e KLP-së zgjati rreth 5 orë, ku u morën në pyetje të tre kandidatët. Procesi është monitoruar edhe nga përfaqësues të ShBA dhe BE, teksa në momentin kur po merrej në pyetje Kondilli, në mbledhje shkoi dhe ambasadorja Yuri Kim.
Kush është kreu i ri i SPAK, Altin Dumani.
Në moshë 47-vjeçare, Altin Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës, dhe njihet si “prokurori i pakompromis”. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ndërsa që prej momentit kur është zgjedhur anëtar i SPAK ka hetuar çështje shumë të nxehta të krimit dhe korrupsionit.