Edvin Kondili: Kam guxim, vizion dhe përgatitje profesionale për të drejtuar SPAK

16 December 2022, 13:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Edvin Kondili: Kam guxim, vizion dhe përgatitje profesionale për

Edvin Kondili është një prej kandidatëve për kreun e SPAK. Ai prezantoi para anëtarëve të KLP-së platformën e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme.

Kondili tha se ka guximin, vizionin dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar SPAK.

“Kam aplikuar për të qenë në krye të SPAK pasi mendoj se kam guxim, vizion dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme.

Nëse do jem drejtues i SPAK do te kem angazhim maksimal që SPAK të jetë shembull i kthimit të besimit tek publiku dhe patjetër që do japim kontributin tonë për të qenë pjese e BE-së”, u shpreh Kondili.

Prokurori tregoi ndër të tjera edhe veprat penale që ka hetuar gjatë detyrës si prokuror, një detyrë të cilën tha se e ushtron prej 18 vitesh.

“Përgjatë 18 viteve në detyrën e prokurorit kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim një numër të madh të çështjeve penale që lidhen me të gjitha veprat që kanë patur në kompetencë si Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas Prokuroria e Posaçme. Natyrisht në pjesën e Prokurorisë së Posaçme, më tepër i fokusuar tek pjesa e veprave që lidhen me korrupsionin.

Për të bërë një përshkrim unë shkurtimisht përmend faktin që veprat panel që kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim, në vlerësimin tim, cilësisht dhe me sukses kanë patur të bëjnë me veprat penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve, trafikimin e armëve dhe municionit luftarak, trafikimin e lëndëve shpërthyese, rrëmbimit të personave, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, vrasjes së punonjësve të policisë, vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryerja e veprave penale në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale, përgjithësisht me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Kryerjen e vrasjeve me paramendim.

Kam hetuar edhe përfaqësuar në gjykatë çështje penale me një numër të madh të pandehurish ku disa prej tyre i kalonin edhe numrin prej 35 të pandehur. Masat e dënimit që kam kërkuara dhe që janë miratuar më pas natyrisht kjo edhe për shkak të natyrës së veprave penale që kam përfaqësuar në gjykim ka qenë me raste edhe me 20 vjet burgim apo deri në burgime të përjetshme”, u shpreh Kondili.


Video