SPAK merr të pandehur edhe Altin Hajrin për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, 5 akuzat që rëndojnë mbi të

16 December 2022, 14:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SPAK merr të pandehur edhe Altin Hajrin për rrëmbimin dhe vrasjen
Jan Prenga dhe Altin Hajri

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim edhe Altin Hajrin, në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në 17 Janar të vitit 2020 në Kamzë.

Altin Hajri është pronari i kompleksit "Golden" në Shijak, ku u vra Jan Prenga dhe më pas trupi i tij është marrë me një furgon dhe nuk është zbardhur ende se ku është çuar për t'u groposur.

Altin Hajri akuzohet për 5 vepra penale, më konkretisht:
- “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”,
- “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”,
- “Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, 
- “Grupi i strukturuar kriminal”
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

"I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamëz, Tiranë Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje." thuhet në njoftimin e SPAK

Më herët, SPAK ka marrë të pandehur në lidhje me këtë ngjarje edhe Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.

Si ndodhi ngjarja:

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepidhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.

Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vazhdimësinë e hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal nr. 62, të vitit 2020, për të cilën është kërkuar dërgimi më parë për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale :

“Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4  i  Kodit Penal;

“Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;

“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamëz, Tiranë

Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë


Video