Ish-deputeti Alqi Bllako ka pretenduar pafajësinë në seancën e sotme gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit.
Në sallën e gjyqit, Bllako ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, duke thënë se nuk ka patur rol në zgjedhjen e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Gjatë mbrojtjes, Bllako tha se roli i tij i vetëm ishte ai i kryerjes së shkresave përcjellëse mes institucioneve.
“Jam i pafajshëm! Në cilësine e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë nuk kam patur rol në zgjedhjen e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kam patur rolin e zyrtarit që kryente vetëm shkresa përcjellëse mes institucioneve”, ka deklaruar Bllako.
Më herët dëshmoi edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.
Ndërsa vetë Koka shpërtheu në akuza të forta ndaj ish partisë ku bënte pjesë. Ai tha se prej 2 vitesh sulmohet politikisht nga ish partia e tij. Ish Presidentin e quajti fuks dhe ish sigurims, që së bashku me aleaten më të madhe, Fallxhoren (Kryemadhi) ka orkesteuar procesin ndaj tij. Më tej Koka theksoi se ish Presidenti fliste në mejhane duke thënë se do të arrestohet Lefter Koka.
Në fund ai nuk kurseu as sulmin ndaj prokurorit të SPAK, duke thënë se është përdorur me dashje apo padashje nga kallëzuesit. Teksa gjykata pyeti prokurorin Klodian Braho nëse do të përgjigjet ndaj deklaratës së Kokës, prokurori deklaroi se në fund të mbrojtjes së të gjithë të pandehurve do të konsiderojne mundësinë e rëplikës. Kjo solli nervozizmin e Kokës që iu përgjigj me ironi: “Pse ke akoma për të thënë”, dhe la sallën e gjyqit.