A ishte skemë e SPAK që Arben Ahmetaj të arratisej?

11 July 2023, 20:42Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A ishte skemë e SPAK që Arben Ahmetaj të arratisej?
Arben Ahmetaj ne piken doganore te Kakavijes dhe pas daljes nga SPAK

Mazhoranca pranoi sot që të shtynte për nesër mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit për deputetin e PS-së, Arben Ahmetaj, pasi për ish-zv.kryeministrin është lëshuar një urdhër-arresti nga Prokuroria e Posaçme.

Shtyrja e mbledhjes është bërë pas kërkesës të avokatëve të Ahmetajt. Ata kanë thënë se kanë nevojë për më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e klientit të tyre.

Bardhi akuzon PS-në se po ndihmon ish-ministrin e vet

Por shtyrja e mbledhjes shikohet nga opozita si një skemë e mazhorancës për të ndihmuar Ahmetajn që të fshihet nga drejtësia.

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca po i jep kohë Arben Ahmetajt që të fshihet nga drejtësia.

“Ai nuk ka ikur për t’u arratisur, por nuk dinin se ku kishte ikur dhe ku ndodhej në këtë moment. Mazhoranca vendosi që ti japë kohë dhe u vendos që të shtyjë seanca për ditën e nesërme. Duke i dhënë kohë në këtë mënyrë që autorizimi të jepet për javën që vjen. Kjo është një ndihmë që mazhoranca po i jep Ahmetajt për t’u fshehur nga drejtësia. Duhet të kishte lejuar prokurorinë ti jepte autorizimin gjykatës më pas është gjykata nëse duhet arrestuar apo jo. Kam pyetur SPAK se ku ndodhet në Shqipëri apo Kanada nuk ka marrë përgjigje. E rëndësishme është që informacioni u konfirmua nga avokatët e tij. Nesër do të dëgjojmë pretendimet e avokatëve të Ahmetajt”, tha Bardhi.

Manjani e drejton gishtin te SPAK

E ndërsa Bardhi akuzon mazhorancën, juristi Ylli Manjani e drejton gishtin te SPAK.

Sipas Manjanit, SPAK i dha mundësinë ish-zv.kryeministrit të largohet nga Shqipëria duke nxjerrë materialet e dosjes në media. Në këtë mënyrë, Manjani e konsideroi si qesharake mbajtjen e mbledhjes me dyer të mbyllura. Ai vë në dukje se SPAK bën sikur është korrekt me ligjin, por sipas tij, ata e kanë shpartalluar në të gjitha drejtimet ligjin.

“Qesharakë pa kufinj!

I zoti i punës nuk është aty. I dhanë shansin të ikë, të largohet.

Materialet e SPAK janë nëpër portale.

Atëherë pse e mbyllin mbledhjen këta?! Ç’ka më sekret apo konfidenciale në këtë çështje?!

Qesharakë! Bëjnë sikur janë super korrekt me ligjin ndërkohë që e kanë shpartalluar në të gjitha drejtimet”, shkruan Manjani në rrjetet sociale.

SPAK nuk e di ku ndodhet në Shqipëri

Ndërkohë, avokatët e Arben Ahmetajt gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve kanë pranuar se ai nuk ndodhet në Shqipëri. Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori ka thënë se Arben Ahmetaj nuk ndodhet brenda territorit të Shqipërisë.

Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt u depozitua të premten

Vlen të theksohet se kërkesa e SPAK për t’i hapur rrugë arrestimit të Ahmetajt është depozituar në Kuvend që ditën e premten, ditë kur Ahmetaj mendohet se ka udhëtuar i vetëm drejt Greqisë.

Ndërkohë, prokurorët e SPAK kanë pranuar sot se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij.

Gjasat janë që Ahmetaj të jetë arratisur. Ish-deputetët që pranuan të dorëzojnë mandatin, Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë në burg.

A ishte skemë e SPAK që Arben Ahmetaj të arratisej?

Gazetari Artan Hoxha publikoi një foto që sipas tij është bërë të premten dhe tregon Ahmetajn në Doganën e Kakavijës. Sipas Hoxhës në udhëtimin drejt Greqisë, Ahmetaj ka qenë i vetëm në makinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video