18 vjetori i përfshirjes së qytetit të Gjirokastrës në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO është kremtuar me një sërë aktivitetesh në qytetin e gurtë.
Në 15 korrik 2005, Gjirokastra do të bëhej pjesë e vlerave botërore të listuara nga UNESCO duke e bërë një datë të veçantë për promovimin dhe rijetëzimin e elementëve ndërtimore dhe arkitektonike të saj. Në ekspozitat fotografike të çelura janë prezantuar vlerat muzeale të papërsëritshme të Gjirokastrës së gurtë.
Gjirokastra u pranua në UNESCO në korrik të 2005-ës përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.
Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XIX.
Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, Pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.
Kalaja, e ndërtuar në shek. XIII, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. XVII) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.