Zemra e shqiptarit Saimir Sula që ndërroi jetë në spitalin ‘Del Mar’ të Barcelonës gjatë kohës së pandemisë tashmë i është dorëzuar autoriteteve shqiptare.
Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se është përfunduar procesi i riatdhesimit në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë
Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, zemrën e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve.
Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.
Nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme.