11 shtetas shqiptarë që kanë mbërritur javën e kaluar në Britaninë e Madhe me gomone janë deportuar për në Shqipëri brenda 24 orëve. Sipas "TheGuardian" deportimi i përshpejtuar i këtyre shqiptarëve pa iu shqyrtuar kërkesa për azil ka ngritur shumë shqetësime te organizatat që mbrojnë emigrantët dhe luftojnë për të drejtat e tyre.
Muajin e kaluar, Ministria e Brendshme u detyrua të pranonte se nuk kishte të drejtë të deportonte shqiptarët pa shqyrtuar më parë kërkesat e tyre. Por me rastin e shqiptarëve që u dërguan në Manston, Ramsgate pasi mbërritën me gomone gjërat kanë qenë ndryshe. Pasi u janë marrë shenjat e gishtërinjve, shqiptarët janë deportuar drejt Shqipërisë me një avion që është nisur direkt nga Manston.
Burime joqeveritare kanë thënë për "TheGuardian" se 11 shqiptarëve nuk iu dha mundësia e shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil përpara se të futeshin në avion. Mishka Pillay, konsulente për emigrantët në "DetentionAction", tha:
Ky largim i 11 personave në Shqipëri është një tregues se njerëzit në Manston mund të privohen nga procesi i rregullt. Ne kemi pasur shqetësime serioze për Manston.
Incidenti që përfshin 11 shqiptarët ka rritur edhe më shumë shqetësimin për Manston, një vend i përkohshëm me tenda në një aeroport të projektuar për të mbajtur 1000 persona që mbërrijnë me gomone por që aktualisht mban 3000 persona. Ka raportime se në këtë vend njerëzit mbahen më shumë se afati 5-ditor dhe kjo ka rritur shqetësimet për kujdesin që ata marrin përgjatë kësaj kohe.