I zhdukur prej 5 muajsh, celulari i shokut të Can Karriqit rezulton i ndezur në disa zona të Tiranës

18 October 2022, 20:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
I zhdukur prej 5 muajsh, celulari i shokut të Can Karriqit rezulton i
Ulvi Skana, Can Karriqi dhe Vis Martinaj

Pesë muaj nga zhdukja e mistershme e 29 vjecarit Ulvi Skana, policia dhe prokuroria ende nuk po përcaktojnë dot nësë është rrëmbim apo largim i qëllimshëm nga banesa.

Pavarësisht se ngjarja është referuar në prokurori si largim nga banesa, policia kriminale po vijon mbledhjen e provave dhe marrjën në pyetje të personave me dijeni rreth ngjarjes, përfshirë edhe familjarë të Skanës.

Burimet për Ora News nga grupi i hetimit thanë se kohët e fundit, Prokuroria dhe policia, kanë arritur të gjurmojnë telefonin e të riut në disa zona të Tiranës.

Aparati celular i Ulvi Skanës, sipas hetuesve ka kryer disa logime çka tregon për përdorimin e tij në zona pranë kryeqytetit.

Nëpërmjet këtij logimi hetuesit kanë siguruar disa adresa ku kanë kryer kontrolle blic por nuk nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë të dhënë për 29 vjeçarin.

Gjurma e tij e fundit sipas policisë, është vërejtuar në zonën e Bathorës. Në kallëzimin e bërë për largimin e djalit të tyre nga banesa, familjarët kanë treguar dhe disa numra telefoni të cilët dyshohet se kanë qenë kontaktet e fundit të 29 vjeçarit.

Personat që kanë në përdorim këto numra telefoni janë marrë në pyetje nga policia por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në gjetjen e të riut me vendbanim në Bathore.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Skana të jete larguar jashtë vendit, megjithatë dhe kjo pistë ende nuk është provuar nga uniformat blu, pasi pashaporta nuk ka lëvizuar nga banesa e tij. Ndërkohë, prindërit e Ulvi Skanës besojnë se djali i tyre është rrëmbyer.

I riu Ulvi Skana njihet si miku i Can Karriqit, person i vrarë në dhjetor të 2021 në zonën e Kamzës. Këtë fakt e kanë pohuar edhe në dëshminë e tyre edhe familjarët tëksa treguan se pas vrasjës së Canit, Ulvi Skana u mbajt 12 orë në polici. Ndërsa Can Karriqi ishte shok i Ervis Martinajt.


Video