Futbolli i do historitë e tij, por ajo që ndodhi mbrëmjen e të shtunës me Rey Manajn është diçka që të lë pa fjalë. Vetëm disa muaj më parë, më 7 qershor 2025 në “Air Albania”, Shqipëria dhe Serbia u ndanë në barazim 0-0.
Në atë ndeshje, Manaj kishte mundësinë t’i jepte fitoren historike kuqezinjve nga pika e bardhë, por ai e humbi penalltinë në minutën 45+2.
Zemërimi, zhgënjimi dhe valët e kritikave që pasuan ishin të mëdha, madje shumë tifozë nuk e kursyen as ofendimet ndaj tij.
Por këtë të shtunë, historia u përsërit… në mënyrën më të pabesueshme të mundshme.
Në Leskovac, përballë të njëjtit rival, Rey Manaj shënoi pikërisht në minutën 45+2, duke vulosur fitoren më të madhe të Shqipërisë ndaj Serbisë në histori. Nga pika e dhimbjes në Tiranë, në majën e lavdisë në Serbi, një cikël që vetëm futbolli mund ta shkruajë me kaq emocion.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë, ku nuk munguan as thirrjet e rënda të një pjesë të tifozëve serbë si “vritini shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”, ndërsa në tribuna u shfaq edhe një banderolë provokuese me hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb, ngjarje që pritet të sjellin ndëshkim nga UEFA.
View this post on Instagram
Kuqezinjtë megjithatë ruajtën qetësinë dhe karakterin, duke mbrojtur rezultatin deri në fund.
Në sekondat e fundit, Nedim Bajrami humbi mundësinë për të dyfishuar, por fitorja ishte e siguruar.
Me këtë triumf historik, Shqipëria konsolidon vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke lënë pas Serbinë me 7 pikë, ndërsa Anglia kryeson me 15 pikë.