UEFA ndryshon rregullat, Champions bëhet nga 32 me 36 skuadra

10 May 2022, 16:54Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

UEFA ndryshon rregullat, Champions bëhet nga 32 me 36 skuadra

Numri i skuadrave në Ligën e Kampionëve do të rritet nga 32 në 36 nga sezoni 2024-2025 sipas ndryshimeve të miratuara nga UEFA. Sipas formatit të ri, çdo ekip do të luajë tetë ndeshje në 10 javë të shpërndara përgjatë të gjithë sezonit.

Dy nga katër vendet shtesë do të jepen kampionateve me performancën më të lartë në çdo sezon individual të garave për klube të UEFA-s.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin tha se kjo do të thotë se "ëndrra për të marrë pjesë në Champions League mbetet e prekshme për të gjitha klubet”.

Një propozim i mëparshëm për të rezervuar dy vende në Champions League për skuadrat që kanë vendosur rekorde historike në këtë kompeticion nuk u miratua nga UEFA.

Kritikët argumentuan se kjo do të kishte favorizuar klubet tradicionalisht 'më të mëdha' dhe do t'u siguronte atyre alternativë sigurie nëse do të performonin dobët në një sezon.

“UEFA ka treguar qartë sot se ne jemi plotësisht të përkushtuar për të respektuar vlerat themelore të sportit dhe për të mbrojtur parimin kyç të garave të hapura, me kualifikim të bazuar në meritat sportive, plotësisht në përputhje me vlerat dhe modelin sportiv europian”, tha Ceferin.

“Ne jemi të bindur se formati i zgjedhur arrin ekuilibrin e duhur dhe se ai do të përmirësojë ekuilibrin konkurrues dhe do të gjenerojë të ardhura solide që mund të shpërndahen në klube, liga dhe në në gjithë futbollin europian", vijoi ai.

Ceferin tha se formati i ri ishte miratuar unanimisht nga komiteti ekzekutiv i UEFA-s, me marrëveshjen e organeve të ligës europiane dhe shoqatave kombëtare.

“Kështu kualifikimi do të mbetet thjesht i bazuar në performancën sportive të sezonit dhe ëndrra për të marrë pjesë do të mbetet për të gjitha klubet”, deklaroi Presidenti i UEFA-s.


Video