Shqipëria humbet një tjetër talent pas Grudës, sarandjoti Adri Mehmeti zgjedh SHBA-të

18 September 2026, 20:45Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqipëria humbet një tjetër talent pas Grudës, sarandjoti
Adri Mehmeti

Shqipëria humbet një tjetër talent të së ardhmes, vetëm pak orë pasi Brajan Gruda vendosi të përfaqësojë Gjermaninë. Këtë herë është Adri Mehmeti ai që ka pranuar ftesën e Kombëtares së Shteteve të Bashkuara, të drejtuar nga Mauricio Pochettino.

Pavarësisht se 17-vjeçari ishte një opsion edhe për Kombëtaren shqiptare, dëshira e tij për të përfaqësuar SHBA-në tashmë është konkretizuar, pasi ai është grumbulluar nga trajneri Mauricio Pochettino.

Mehmeti është përfshirë në listën me 28 futbollistë për katër miqësoret e radhës, ku tekniku argjentinas ka zgjedhur t’u besojë një numri të konsiderueshëm lojtarësh të rinj.

Me origjinë nga Saranda, Mehmeti ka lindur dhe është rritur në Neë York.

Ai ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave të Shteteve të Bashkuara dhe tashmë ka bërë hapin drejt Kombëtares.

Më herët, 17-vjeçari ka luajtur edhe për Shqipërinë U-15, ku ka shënuar edhe një gol.

Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjen e lojtarit, e cila ka qenë e pavendosur për zgjedhjen e përfaqësueses dhe, në fund, nuk ka dhënë një përgjigje pozitive për Shqipërinë.

Vetë Mehmeti e ka përshkruar ftesën si realizimin e një ëndrre të fëmijërisë. Duke kujtuar emocionet që përjetonte teksa ndiqte SHBA-të në Kupën e Botës, ai tha se golat e Kombëtares amerikane i shkaktonin emocione të veçanta dhe e bënin të imagjinonte veten një ditë në atë skuadër.

“Është diçka për të cilën kam ëndërruar që kur isha fëmijë, duke i parë të luanin. Marrja e kësaj ftese ishte vërtet emocionuese. Jam shumë i lumtur”, u shpreh Mehmeti.

Në nivel klubesh, Mehmeti luan me Neë York Red Bulls në MLS. Këtë sezon ai ka regjistruar një gol dhe tre asistime në 24 paraqitje, duke u konsideruar një prej talenteve të rinj me potencial në futbollin amerikan.

Ndeshja e parë për SHBA-në do të jetë kundër Perusë, më 26 shtator. Më pas, amerikanët do të përballen me Kilin, Meksikën dhe Kanadanë


Video