Përralla e Italisë së bukur të Mancinit ka marrë fund. Axurrët duhet ta nisin gjithçka nga zero. Nuk skualifikohesh nga Botërori nga pa pasoja. Ndërsa Argjentina shkruan historinë, pas fitores së kupës së Amerikës Latine, përfaqësuesja “bardhekaltër” siguron trofeun e parë të Finalissima-s, në përballjen me kampionen e Europës, Italinë.
Argjentinasit triumfuan me rezultatin 0-3 në “Wembley-n”, që ishte mbushur nga mbështetësit e tyre.
Skuadra nga Amerika Jugore dominoi të gjithë sfidën, me Lionel Messin që kërkoi të gjente rrugën drejt rrjetës në minutën e 28-të, por goditja e tij u ndal nga Donnarumma. Vetëm pak sekonda më pas kapiteni i Argjentinës do të asistonte Lautaro Martinez, me këtë të fundit që e dërgon topin mjaft lehtë në rrjetë dhe zhbllokoi rezultatin.
Goli i dytë dhe i sigurisë për “bardhekaltërit” erdhi në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë, kur Lautaro merr topin në mesfushë dhe afrohet te porta e Italisë, ku i shërben Di Marias, me këtë të fundit që e dërgon topin në rrjetë dhe dyfishon avantazhin e argjentinasve.
Në minutën e 59’ Locatelli tentoi të gjente rrugën drejt rrjetës, me një goditje të fortë nga distanca, por u ndal nga Martinez që mbajti portën e tij të paprekur.
Në fraksionin e dytë Italia u mundua të ishte më kërkuese, por pa rezultat, pasi Argjentina do të trefishonte rezultatin në minutën e 90+4, me Paulo Dybalan, i cili kishte vetëm tre minuta në fushën e lojës, por arriti të gjente rrugën drejt rrjetës pas një asisti nga Messi.
Kështu pas fitores me Italinë, Argjentina hyn në histori si kampionia e parë e Finalissima-s.