Shqipëria ka marrë një medalje të artë historike në Botërorin e Mundjes që po zhvillohet në kryeqytetin serb, Beograd.
Ka qenë mundësi me origjinë çeçene i natyrlizuar si shqiptar Zelimkhan Abakarov, i cili mundi në finale për peshën 57 kg mundësin amerikan, kampion bote Thomas Gilman 7-2.
Po kush është mundësi rus i cili mori një medalje historike për Shqipërinë, të parën të artë në këtë sport në një veprimtari tejet të rëndësishme si botërori.
29-vjeçari Zelimkhan Abakarov ka lindur në Rusi e është me origjinë çeçene. Ai ka lindur me më 14 korrik 1993 dhe e ka marrë shtetësinë shqiptare në shtator 2021.
Në një intervistë të dhënë asokohe sportisti tha se nuk kishte dëgjuar shumë për Shqipërinë më herët. Abakarov ka pohuar se ftesa për të përfaqësuar Shqipërinë i ka ardhur nga Presidenti i Federatës, ish-mundësi Sahit Prizreni.
Më herët Abakarov ka fituar medaljen e artë për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare 2022 që u zhvilluan në Oran, Algjeri.
Kampioni nuk është sportisti i vetëm i huaj që përfaqëson Shqipërinë në mundje. Mundësi tjetër rus me origjinë çeçene Islam Dudaev përfaqëson gjithashtu Shqipërinë në garat ndërkombëtare.
“Ëndrra ime u bë realitet nga ata të cilët deshën që të përfaqësoja këtë vend të bukur”
Një ëndërr që bëhet realitet. Kështu e përshkruan Zelimkhan Abakarov fitoren e titullit Kampion Bote në mundje duke përfaqësuar Shqipërinë në Botërorin që po zhvillohet në Beograd. Mundësi 29-vjeçar i lindur në Dagestan, prej fillimit të këtij viti përfaqëson Shqipërinë dhe sot i dha ngjyrave kuqezi medaljen e artë historike.

“Kjo fitore ndehet me këdo që ka qenë me ne dhe jam shumë i lumtur sonte, pasi për mua është një ëndërr që bëhet realitet”, u shpreh Abakarov për “Panorama Sport” pas këtij triumfi të jashtëzakonshëm, për të cilin kishte dhënë sinjale prej kohësh pasi më parë ka fituar të artën edhe në Lojërat Mesdhetare.
Një ëndërr të realizuar për të cilën ai ka falënderuar ata që insistuan që mundësi çeçen, të arrinte të përfaqësonte Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe për herë të parë të mund të tregonte vlerat e tij në skenat më të rëndësishme të këtij sporti. “Kjo ëndërr u bë realitet nga njerëzit të cilët deshën që unë të përfaqësoja këtë vend të bukur. Faleminderit Federatës dhe presidentit Sahit Prireni”, deklaroi ai.