Interi ka harruar të fitojë

26 February 2022, 09:06Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Interi ka harruar të fitojë

Interi nuk përfitoi nga barazimi i Milanit ndaj Udinezës dhe nga transferta e Xhenoas u largua vetëm me një pikë pas barazimit pa gola.

Përpjekjet e zikaltërve u ndalën nga pritjet spektakolare të Sirigut dhe nga muri i ngritur në mbrojtje nga të zotët e shtëpisë, të udhëhequr nga trajneri Blessin.

Megjithatë, edhe në këtë ndeshje Interi u penalizua nga paqartësia në goditjen finale, ashtu si në takimin ndaj Liverpul në Champions. Zikaltërit krijuan volum loje dhe mjaft raste goli, sidomos në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë vlen të përmendet një traversë e D’Ambrosios në minutën e 73-të.

Me këtë rezultat Interi shkon në 55 pikë, dy më pak se Milani, por me avantazhin e një ndeshjeje mangët. Megjithatë, shqetësuese për skuadrën e Inzaghit është mungesa e fitoreve. Në pesë ndeshjet e fundit mes Serisë A dhe Champions League, Interi ka regjistruar tre humbje dhe dy barazime. Fitorja e fundit e zikaltërve është ajo e 22 janarit ndaj Venecias 2-1 në shtëpi.

 


Video