
UEFA do t’i heqë Shën Peterburgut finalen e Champions League dhe do të vendosë për një stadium tjetër gjatë mbledhjes urgjente të bordit drejtues të organizatës, që është thirrur për ditën e premte.
Vendimi pason pushtimin rus të Ukrainës. Njëkohësisht, FIFA do të takohet të enjten me Rusinë dhe Ukrainën, pasi dy ekipet është planifikuaar që të luajnë në ndeshjet e play-off të Kupës së Botës në mars.
Rusia do të luajë me Poloninë më 24 mars, ndërsa Skocia do të presë Ukrainën në të njëjtën ditë.
Kampionati ukrainas ishte caktuar të rifillonte këtë fundjavë pas një pushimi dimëror, por ajo do të mbetet e pezulluar. Pesëmbëdhjetë nga lojtarët e kombëtares ukrainase luajnë në kampionatin vendas, ku është shpallur gjendja e luftës.
Në play-off është edhe Suedia ku do të përballet me Çekinë. Fituesi i asaj barazimi mund të takohet me Rusinë për një vend në finalet e Kupës së Botës, që do të zhvillohet në Katar në nëntor, nëse fitojnë gjysmëfinalen e tyre. Karl-Erik Nilsson, kryetari i Federatës Suedeze të Futbollit, i tha Reuters se një ndeshje në Rusi ishte "pothuajse e paimagjinueshme" për momentin.
Një deklaratë e përbashkët u lëshua nga FA polake, çeke dhe suedeze duke i thënë FIFA-s se ndeshjet e play-off nuk duhet të luhen në Rusi. Deklarata thotë se vendet nuk do të udhëtojnë atje për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe duan veprim "të menjëhershëm" mbi vendndodhjet alternative.
Ish-sulmuesi i Milani, Andriy Shevchenko - i cili është golashënuesi i të gjitha kohërave të Ukrainës dhe ishte trajner i ekipit kombëtar për pesë vjet i bëri thirrje Rusisë "të ndalojë agresionin e tyre dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar".
“Njerëzit dhe familja ime janë nën sulm”, ka shkruar ai në një postim në Instagram. "Ne duam vetëm paqe. Lufta nuk është zgjidhja".
Finalja e Ligës së Kampionëve do të luhej në Gazprom Arena në Shën Petersburg më 28 maj, por UEFA e ka paralajmëruar se një përshkallëzim i situatës mes Rusisë dhe Ukrainës do ta bënte të pamundur organizimin e ndeshjes.
Zhvillimet brenda natës kanë bërë që presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin të thërrasë një mbledhje urgjente të komitetit ekzekutiv për të premten, kur do të konfirmohet vendimi.
UEFA është në procesin e vlerësimit të alternativave, por tani është e përkushtuar të ndryshojë vendin e ndeshjes së saj më prestigjioze për klube. Ndeshja e Zenit St Petersburg të enjten do të zhvillohet ka konfirmuar UEFA. Ata përballen me skuadrën spanjolle Real Betis jashtë fushe në Europa League në orën 20:00 GMT.
Në Ukrainë, futbolli në të gjitha nivelet është pezulluar dhe Federata e Futbollit të Ukrainës ka thënë se do të apelojë për të parandaluar çdo ekip kombëtar ose klub rus që të marrë pjesë në "çdo garë ndërkombëtare nën kujdesin e FIFA-s dhe UEFA-s".