Kroacia mposhti Francën në mbrëmjen e së hënës në kuadër të Ligës A në Nations League teksa sfidën e vendosi një gol i Luka Modric në minutën e pestë. Mesfushori i Real Madrid u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe në vazhdim, 36-vjeçari së bashku me bashkëkombasit e tij menaxhuan më së miri avantazhin.
Një revansh për ish-Topin e Artë dhe Kroacinë e tij pas humbjes në finale në Botërorin 2018 në Rusi ndaj francezëve.
Ndërkohë, pas fundit të ndeshjes ylli i Kroacisë u bë sërish protagonist, këtë herë teksa u regjistrua nga kamerat duke komunikuar përzemërsisht me Kylian Mbappe. Por, një gjest i tillë nga Modric ka lënë të pakënaqur një gazetar spanjoll pranë klubit të Realit, i cili nuk e ka mirëpritur aspak sjelljen e mesfushorit pasi sipas tij një lojtar i Real Madrid nuk mund të tregohej aq i afërt me një futbollist që në merkato u tall me ofertën e madrilenëve.
Gjatë emisionit “El Chiringuito”, gazetari Josep Pedrerol mbeti fare pa fjalë nga kjo situatë:
“A është e vërtetë kjo që po më thoni, që Modric ka kërkuar fanellën e Mbappes? Çfarë? Por si mund t’i kërkojë Mbappé fanellën e tij? Ai që e la Madridin në të thatë?”.
Pedrerol do të kishte dashur të shihte një qëndrim të ndryshëm nga simboli madrilen pas talljes që Mbappé i bëri merengues.
“Modric është madrilen, Mbappe u tall me madrilenët dhe ai i kërkon fanellën? A është shaka? Mbappé qeshi me të gjithë madrilenët dhe Modric, lideri i Real Madrid, i kërkon atij fanellën! A nuk mendoni se është e tmerrshme?! Jam në shok”.