Gjeneral i hekurt, si Antonio Conte e nxori Interin nga shinat

25 May 2025, 10:42Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjeneral i hekurt, si Antonio Conte e nxori Interin nga shinat
Antonio Conte

Të mërkurën e 26 qershorit 2024, Napoli u dashurua marrëzisht pas një personi: Antonio Conte. Me atë që ndoshta si lojtar nuk e kishin duartrokitur shumë.

“Më pyetën nëse kam frikë të stërvis Napolin, por frikë për çfarë? Duam që të bëhemi një alternativë e besueshme për të fituar titullin kampion”. E nisi me një sfidë për vete dhe për të gjithë të tjerët. Konte është fitues, por është edhe juventin. Sepse me bardhezinjtë ka shkruar faqe të arta të historisë dhe ai nuk i harron. Në prezantim e ftuan me këngën: Kush s’kërcen është juventin. Dihet që në Napoli ka një urrejtje për “Zonjën e Vjetër”. Por ai heshti korin dhe tha: Mos më kërkoni gjëra që nuk do t’i bëj. E sigurt është që përpara jush është tifozi i parë i Napolit!

NISJA

Merkato ishte e bllokuar nga çështja “Osimhen”, por kampionati nisi. Në javën e parë: Verona-Napoli 3-0. Konte merr fjalën: “Dua të kërkoj falje për tifozët tanë. Zemra ime nxjerr gjak tani, shpresoj që edhe ajo e lojtarëve”, tha ai. Duhej gjetur shpirti i një skuadre që dukej se kishte humbur pikat e forta. Në gongun e merkatos erdhën McTominay, Gilmour, Neres dhe Lukaku, njeriu i besuar i Contes. Belgu futet në javën e tretë të ndeshjes dhe nga 0-1 gjithçka përmbyset 2-1. Konte merr besim dhe nis të komandojë klasifikimin.

INTERI

Por Antonio Conte e fitoi kampionatin edhe duke i bërë presion gjithmonë Interit dhe Simone Inzaghit.

“Interi ka dy skuadra. Është një ekip që duhet ta fitojë titullin patjetër”, thoshte gjithmonë trajneri në konferenca.

Ndeshja e parë përfundoi 1-1 në “San Siro”, ku Conte ishte i tërbuar për vendimet e arbitrave. E mbyll fazën e parë në krye të klasifikimit. Ishte momenti për festë, por në fakt jo. Kvaratskhelia që ishte një nga yjet e skuadrës shkon në Paris.

“Humbëm në lojtar të rëndësishëm dhe nuk u zëvendësua. Kjo është çmenduri. Nuk mundet që të shesim tym. Nuk jemi forcuar”.

Ndeshja e kthimit në “Maradona” ishte shumë e rëndësishme sepse Interi mund të arratisej. Trajneri izoloi skuadrën, punoi shumë në grumbullim. Askush nuk mund të merrte pjesë në rast se nuk ishte pjesë e stafit të tij. Dhe ia doli që ta përgatiste atë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme dhe barazoi në fund me Billing.

“Meritonim më shumë. Kjo skuadër tregoi karakter dhe ne mund të themi fjalën tonë në këtë kampionat. Do të jenë 10 finale”, tha Conte duke iu hapur luftë zikaltërve. Ia doli…


Video