Nuk ka një çështje Armando Broja në kombëtaren shqiptare. Kështu shprehet trajneri Sylvinho, i cili ka rrëfyer të gjithë situatën e sulmuesit të talentuar kuqezi, duke hedhur në këtë mënyrë poshtë zërat për një mosmarrëveshje.
“Nuk ka ndodhur asgjë. Ai vjen nga një dëmtim rreth 10 mujor, një kohë shumë e gjatë. Ka luajtur pak kohët e fundit me Chelsea-n dhe në ndeshjen e fundit atje ka luajtur vetëm pjesën e parë. Kishte një problem dhe erdhi këtu. Pasi provuam, në bashkëpunim me mjekët e Chelsea-t, vendosëm që ai nuk është në gjendje për të luajtur, ndaj u kthye atje për t’u ndjekur nga stafi i klubit anglez. Duhet shumë kujdes pas një dëmtimi si ky, ndaj është më mirë që ta ndjekin mjekët e Chelsea-t. Kjo është 100% e saktë mbi atë që ka ndodhur”, tha Sylvinho.
Armando Broja u paraqit në grumbullim me kuqezinjtë dhe u stërvit vetëm dy ditë, teksa për shkak të një shqetësimi në gju u rikthye në Londër, aty ku ka rinisur stërvitjen nën monitorimin e mjekëve të Chelsea-t.