
Kombëtarja rumune e futbollit do të luajë në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2024 ndaj Kosovës, por ka një problem të madh. Shteti rumun nuk e njeh ekzistencën e shtetit të Kosovës.
Teodor Meleșcanu, ish-ministër i Jashtëm i Rumanisë, beson se zgjidhja do të ishte që trengjyrëshit të mos shfaqen në këto ndeshje dhe t’i humbasin të dyja përballjet me rezultatin 3-0 në tavolinë.
Por kjo do të nënkuptonte rrezikimin e mundësive të tyre për kualifikim. “Kosova nuk njihet nga një sërë shtetesh, përfshirë Rumaninë. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës.
Normalisht, ajo që mund të bëhet në këtë moment është që federata jonë e futbollit, përmes Răzvan Burleanu, të diskutojë edhe me shtetet e tjera që kanë të njëjtin pozicion si Rumania dhe së bashku do të duhet të arrijnë një rrugë që as të shkatërrojë të gjithë sistemin, as të shpërfillni gjërat që janë shumë të qarta nga këndvështrimi i Rumanisë.
Pra, do të thosha se FRF do të duhet të gjejë zgjidhje. Nëse jo, ajo që mund të bëhet është të humbasim 3-0 me Kosovën, pa u paraqitur në ndeshje”, tha ish-ministri i jashtëm rumun Teodor Meleșcanu në “Antena 3”.
Kombëtarja e Kosovës, e drejtuar nga francezi Alain Giresse, nuk ka luajtur asnjë ndeshje ndaj Rumanisë deri më tani, miqësore apo zyrtare. Një ekip kombëtar i ndërtuar mbi futbollistët që janë aktivë jashtë vendit, në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Spanjë apo Holandë, me “Euro 2020”, turneun e parë për të cilin garuan në kualifikuese, pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Dardanët përfunduan në vendin e 2-të në grupin e sivjetëm të Ligës së Kombeve, poshtë Greqisë, por mbi Irlandën e Veriut dhe Qipron.