3 pikët e para për Milan në kampionat, Allegri: Fituam se patëm durim, Nkunku sjell më shumë cilësi

30 August 2025, 09:56Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
3 pikët e para për Milan në kampionat, Allegri: Fituam se
Loftus-Cheek e Pulisic, buzëqesh Allegri: 3 pikët e para për Milan në kampionat

Në ndeshjen hapëse të javës së dytë të Serie A, Milan fiton në transfertë me Lecce duke mposhtur 2-0 salentinët. Në Via del Mare ndeshja zhbllokohet menjëherë në minutën e 4’ me goditjen me kokë të Gabbia, por VAR i mohon gëzimin mbrojtësit kuqezi për faull ndaj Coulibaly, më pas është Gimenez që shpërdoron rastin për gol në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë meksikani gjen rrugën e rrjetës, por edhe një herë tjetër VAR i anulon golin Milan për pozicion jashtë loje të sulmuesit. Asnjë dyshim dhe asnjë parregullsi, megjithatë, në minutën e 66’ kur Loftus-Cheek me një goditje me kokë, në krosimin perfekt të Modric, i jep avantazhin kuqezinjve. Në fund është Pulisic (86’) që dhuron dyfishimin duke shfrytëzuar një përgjumje kolosale të mbrojtjes puljeze.

Allegri: Fituam se patëm durim

“Gjëja më pozitive është se patëm shumë raste, por krijuam edhe situata ku duhej të silleshim më mirë prapa. Në fazën mbrojtëse duhet të përmirësohemi. Ishte e rëndësishme të fitonim për ta lënë pas humbjen me Cremonese. Kundër Lecce treguam përulësi, kujdes dhe durim, duhet të vazhdojmë kështu”, – tha Massimiliano Allegri pas fitores në “Via del Mare”.

Më pas foli për afrimin e ri: “Nkunku ka një cilësi të madhe, shton atë që tashmë kemi përpara, por me rëndësi është ekuilibri. Ndryshimi i sistemit të lojës? Vendosa një lojtar më tepër në mesfushë, në këtë mënyrë kemi më shumë ekuilibër dhe e mbulojmë më mirë fushën. Duhet të gjejmë siguri, gjë që vjen vetëm nëse nuk pëson gola”.

Allegri u ndal edhe te tema e mundshme e largimeve të Gimenez dhe Musah: “Nuk kam folur me ta, ishte një ndeshje e rëndësishme, nuk mund t’i shpenzonim energjitë për merkaton. Për të mirën e të gjithëve ishte e drejtë të mendohej vetëm për ndeshjen, klubi do të mendojë çfarë duhet të bëjë për ta rikthyer Milanin konkurrues”.


Video