Si e mori Chuck Schumer detyrën më të keqe në Washington

5 November 2026, 21:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si e mori Chuck Schumer detyrën më të keqe në Washington

Nga Franklin Foer, The Atlantic

Gjatë dy viteve të fundit, të mbushura me vështirësi, Chuck Schumer u shndërrua në simbolin e gjithçkaje që demokratët nuk pëlqenin te vetja: një përfaqësues i brezit të vjetër, që nuk pranonte të largohej nga skena politike; një centrist pa vendosmërinë e nevojshme për t’u përballur me presidentin Donald Trump; dhe një komunikues që vazhdimisht dështonte në përcjelljen e mesazhit.

Tallja me liderin e pakicës në Senat u bë mënyra më e lehtë për kandidatët demokratë për të fituar pikë te baza e tyre elektorale dhe për të treguar pavarësinë politike.

“Nëse ju dukem si Chuck Schumer, atëherë jam vërtet i rrezikshëm”, u shpreh me ironi Abdul El-Sayed gjatë zgjedhjeve paraprake në Michigan.

Kur fola në telefon me Schumer, një ditë pasi demokratët i shkaktuan partisë së Trump një humbje të përmasave të papara prej një brezi, ai donte të më bënte të ditur se “Abdul dhe unë shkojmë mirë me njëri-tjetrin”.

Që prej momentit kur El-Sayed siguroi nominimin, të dy kanë biseduar dy ose tri herë në javë, ndërsa super-PAC-u i lidhur me Schumer shpenzoi dhjetëra miliona dollarë në Michigan. U përpoqa ta pyesja Schumer për dallimet mes tyre lidhur me Izraelin, por ai e shmangu pyetjen.

“Fitorja ndaj Trump ka qenë gjithmonë objektivi im kryesor. Marrja e Senatit ka qenë gjithmonë objektivi im kryesor dhe unë i kam qëndruar besnik kësaj. Nëse për këtë marr kritika, le të jetë kështu”, tha ai.

Pavarësisht kritikave dhe sulmeve që Schumer ka përballuar gjatë kësaj periudhe, ai duket se është favoriti kryesor për t’u rikthyer në postin e tij të mëparshëm si lider i shumicës në Senat. Kritikët e tij përbëjnë një pakicë të vogël brenda grupit parlamentar demokrat, i cili pas fitores së së martës në mbrëmje është bërë edhe më i madh.

Schumer mund t’i përballojë disa vota kundër tij.

Dhe megjithëse mbështeti disa kandidatë që rezultuan të dobët, si Haley Stevens në Miçigan dhe Janet Mills në Maine, ai ishte gjithashtu përgjegjës për rekrutimin e shumë prej kandidatëve që arritën të fitonin vende për demokratët. Është e vështirë të argumentohet se ai e pengoi fitoren e madhe, përkundrazi, ishte një nga arkitektët e saj.

Sigurisht, Schumer nuk ngurron të flasë për rolin e tij në këtë fitore. Ai më tregoi se si e kishte njohur fillimisht Scott Colom, i cili duket se është shumë pranë fitores ndaj senatores Cindy Hyde-Smith në Misisipi, me një diferencë të ngushtë.

Në vitin 2022, presidenti i atëhershëm Joe Biden emëroi Colom, prokuror në veri të Misisipit, për një post gjyqtari federal. Por Hyde-Smith i dha fund mundësive të tij duke refuzuar të kthente të ashtuquajturën “blue slip”, një praktikë e vjetër parlamentare që i lejon senatorit të shtetit përkatës të vendosë veton ndaj një kandidati për gjyqtar.

Megjithatë, Schumer kishte krijuar një përshtypje të mirë për Colom.

“Mendova se ai do të ishte një kandidat i shkëlqyer në Misisipi”, më tha ai.

Në kërkim të një kandidati që mund të përballej me Hyde-Smith, Schumer e ftoi Colom dhe të atin për drekë në apartamentin e tij në Bruklin dhe nisi ta bindte të kandidonte.

Schumer tha se marrja e Misisipit nga demokratët ishte një ambicie e vjetër e tij. Stafi i tij nuk e pëlqen kur ai e quan këtë objektiv “balena e bardhë”, një shprehje që përdoret për të përshkruar një synim të vështirë, që kthehet në një obsesion.

Misisipi është shteti me përqindjen më të lartë të banorëve me ngjyrë në SHBA, por demokratët nuk kanë fituar një garë për Senatin atje prej më shumë se katër dekadash.

Kur Schumer studioi hartën elektorale, kuptoi se mundësia nuk qëndronte vetëm te votuesit me ngjyrë.

“Popullsia e bardhë po bëhet gjithnjë e më e favorshme në Misisipi. Ka më shumë njerëz që, e dini, nuk janë aq republikanë të vendosur”, tha ai.

Ai ia atribuon këtë zhvillim, çuditërisht, John Stennisit. Stennis ishte një mbështetës i vendosur i segregacionit racor dhe demokrati i fundit që përfaqësoi Misisipin në Senat. Si kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, Stennis e shndërroi Jacksonin, kryeqytetin e shtetit, në një qendër të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes.

“Në fillim, punonjësit e industrisë së mbrojtjes ishin republikanë; kryesisht punëtorë të krahut të zakonshëm. Tani janë kryesisht demokratë, sepse janë njerëz të teknologjisë, si në një mini-Atlanta”, tha Schumer.

Rekrutimi i kandidatëve për të garuar në shtetet ku demokratët humbasin vazhdimisht është një proces i lodhshëm.

Schumer udhëtoi tri herë drejt Columbusit në Ohio për të bindur ish-senatorin Sherrod Brown që të kandidonte në zgjedhjet e parakohshme për vendin që më parë mbante zëvendëspresidenti JD Vance.

Kjo, pavarësisht se një fitore do të nënkuptonte që Brown të duhej të kandidonte sërish pas dy vitesh, gjatë zgjedhjeve presidenciale, kur elektorati mund të ishte më pak i favorshëm për demokratët.

Në takimin e tretë, Brown dhe bashkëshortja e tij, Connie Schultz, po hezitonin ende. Schumer i tha Brown se mund të shijonte një pension të këndshëm, por e paralajmëroi:

“Nëse nuk kandidon dhe ne e humbasim Senatin me një vend, nuk besoj se do ta shijosh aq shumë pensionin”.

Të nesërmen, Brown dhe Schultz e telefonuan për t’i thënë se argumenti i tij kishte funksionuar.

Një nga kritikat ndaj drejtuesve demokratë të brezit të Schumerit, dhe një kritikë e drejtë, është se obsesioni i tyre për të ruajtur institucionet i ka mbajtur të zhytur në debate të ngurta, të cilat nuk arritën kurrë të fitonin mbështetjen e duhur.

Ata këmbëngulën te kërcënimi që Trump përbënte për demokracinë, u përqendruan te ndikimi rus dhe ngjarjet e 6 janarit, ndërsa nuk arritën të krijonin një përgjigje bindëse ndaj shqetësimeve të përditshme të qytetarëve.

Kjo ndryshoi gjatë dy viteve të fundit, kur lideri i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, dhe Schumer riformuluan argumentet e tyre kundër Trumpit, duke u përqendruar te pasurimi i tij personal në kurriz të publikut.

Ata u përpoqën të lidhnin pothuajse çdo vendim të tij me koston e jetesës. Tarifat doganore nënkuptonin çmime më të larta; ligji “One Big Beautiful Bill Act” nënkuptonte prime më të shtrenjta të sigurimit shëndetësor; shkatërrimi i ligjit për Uljen e Inflacionit nënkuptonte fatura më të larta të energjisë elektrike; ndërsa lufta me Iranin nënkuptonte rritje të çmimeve të benzinës dhe naftës.

Këto dy linja argumentimi u bashkuan në atë që Schumer e konsideron fitoren më të madhe të demokratëve gjatë dy viteve të fundit: ndihmën për të bllokuar fondin prej 1.8 miliardë dollarësh të Trumpit, të quajtur “Fondi Kundër Armatizimit të Institucioneve”, të cilin presidenti mund ta përdorte sipas dëshirës së tij.

Për nismën e parë si lider i shumicës, Schumer ka përgatitur rreth 15 projektligje, të cilat në teori synojnë të ulin kostot dhe të kufizojnë korrupsionin.

Asnjëri prej tyre nuk përbën një reformë gjithëpërfshirëse. Për shembull, disa prej tyre synojnë të ulin çmimin e insulinës, ndërsa të tjerë të ndalojnë tregtimin e aksioneve nga anëtarët e Kongresit dhe presidenti.

(Sipas Kushtetutës, projektligjet për shfuqizimin e tarifave doganore ose rikthimin e lehtësimeve tatimore të ligjit për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm duhet të nisin në Dhomën e Përfaqësuesve).

Qëllimi është paraqitja e një sërë projektligjesh të arsyeshme, të cilat do t’i detyrojnë republikanët ose të kundërshtojnë masa popullore, ose të bëjnë që Trump t’i vërë veton.

Kjo strategji mbështetet në idenë se vendi refuzoi Trumpin dhe jo se përqafoi demokratët, ndaj detyra më urgjente e partisë është të rifitojë besimin e publikut.

E vërteta është se posti i liderit të shumicës në Senat, siç do ta pohonte me shumë gjasë edhe John Thune, është shndërruar në një nga detyrat më të këqija në Uashington.

Schumer tolerohet nga grupi i tij politik, ndonjëherë me shumë vështirësi. Demokratët që ndjekin vazhdimisht televizionet politike ose që dëshirojnë një qasje më luftarake progresiste nuk e durojnë dot atë, duke e kthyer në një fajtor të përshtatshëm për vendime politike që nuk u pëlqejnë.

Agjenda e tij ka të ngjarë të duket zhgënjyese për shkak të përmasave të kufizuara, në një kohë kur nevoja për reforma të thella politike duket jashtëzakonisht urgjente.

Por Schumer është një politikan që nuk heq dorë kurrë nga një formulë, pasi beson se e ka gjetur atë.

Ai më tha se detyra e tij nuk është asgjë më pak sesa “të riformësojë hartën elektorale në mënyrë afatgjatë, për një brez të tërë”, duke u mbështetur te fakti se Teksasi, Ohio dhe ndoshta edhe Misisipi janë tashmë brenda mundësive të partisë së tij. Këto shtete mund të përbëjnë bazën e një shumice të qëndrueshme në të ardhmen.

Kjo nuk është një vizion poetik i politikës, por gjithsesi është një formë idealizmi.


Video