
Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer kërcënime për javë të tëra, ani pse po vazhdojnë përpjekjet diplomatike. Megjithatë, mundësia e një përshkallëzimi ushtarak pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA ekziston ende.
Lideri suprem Iranit, Mojtaba Khamenei, u kërkoi forcave të armatosura të jenë të gatshme t'i përgjigjen çfarëdo sulmi “menjëherë, në mënyrë efektive dhe pa kufizime gjeografike”, në një deklaratë të publikuar më 31 tetor.
Pikërisht kjo pjesë e deklaratës ka nxitur thashetheme në Iran se çfarë mund të nënkuptojë ajo dhe nëse Teherani ka kapacitetet për ta çuar deri në fund këtë kërcënim.
Kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan për herë të parë Iranin, më 28 shkurt, Teherani u kundërpërgjigj duke goditur caqe ushtarake dhe civile në shtetet arabe përgjatë Gjirit Persik. Ai këmbëngulte se po shënjestronte interesat amerikane në rajon.
Analistët thonë se Republika Islamike shpresonte që zgjerimi i konfliktit në nivel rajonal dhe goditja e territorit të aleatëve të SHBA-së do ta detyronte Uashingtonin t'i ndalte sulmet.
Tani, disa zëra në Teheran sugjerojnë se faza e ardhshme e luftës, nëse ajo rifillon, siç ka kërcënuar presidenti amerikan Donald Trump, mund të shtrihet edhe më tej. Ligjvënësi konservator dhe ish-ministri i Jashtëm, Manuchehr Mottaki, tha se konflikti i ardhshëm “nuk do të jetë luftë rajonale”.
Duke folur në televizionin shtetëror pas publikimit të deklaratës së Khameneit, Mottaki lavdëroi kapacitetet raketore të Iranit dhe paralajmëroi se, nëse Irani sulmohet, lufta që do të pasojë “do të arrijë deri në Evropë”.
Edhe komentatori konservator, Ali Qolhaki, shprehu të njëjtin qëndrim. Në një postim në rrjetin X, ai shkroi se kërcënimi për zgjerimin e objektivave të Iranit përtej rajonit ka gjasa t'i referohet Evropës.
Sipas tij, në shënjestrën e Iranit tani mund të jenë vende si Britania e Madhe, Italia, Greqia dhe Gjermania, të cilat strehojnë forca të armatosura amerikane dhe janë pjesë e dislokimit global ushtarak të Uashingtonit dhe rrjetit të tij të mbështetjes logjistike.
Ndërkohë, mediat iraniane e kanë paraqitur deklaratën si shenjë se Teherani mund të jetë duke ndryshuar politikën për rrezen e veprimit të raketave të tij.
Për vite me radhë, Irani ka mbajtur një kufizim prej 2.000 kilometrash për rrezen e veprimit të raketave të tij. Ish-lideri suprem, ajatollah Ali Khamenei, kishte thënë se këtë kufizim e kishte vendosur vetë, pavarësisht kundërshtimeve të zyrtarëve ushtarakë.
Tani, disa media sugjerojnë se Khamenei i ri, i cili nuk është shfaqur në publik që nga sulmet e 28 shkurtit, ku u vra babai i tij, po e heq këtë kufizim.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, ISNA, tha se deklarata sinjalizon një ripërcaktim të rrezes gjeografike brenda së cilës forcat e armatosura janë të gatshme të kryejnë sulme dhe mund të përbëjë ndryshim në konsideratat strategjike që përcaktojnë politikën raketore të Iranit.
Klubi i Gazetarëve të Rinj, i lidhur me transmetuesin shtetëror IRIB, shkoi edhe më tej. Ai tha se lista e objektivave të Iranit është përditësuar dhe se aftësitë e tij parandaluese tashmë shtrihen “përtej rajonit”.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë të paktën 128 baza dhe objekte ushtarake në 51 vende, nga Lindja e Mesme, Evropë, Afrika e deri në Azinë Lindore. Ajo tha se “bazat e agresorëve kudo në botë” tashmë janë pjesë e listës së objektivave të forcave të armatosura iraniane.
“Teherani po përgatitet t'i përgjigjet me forcë një sulmi amerikano-izraelit, i cili, sipas vlerësimeve, pritet të jetë veçanërisht i gjerë dhe i dhunshëm”, tha Danny Citrinowicz, bashkëpunëtor i jashtëm në Këshillin Atlantik.
“Për më tepër, duket se iranianët po synojnë ta zgjerojnë listën e objektivave, duke përfshirë edhe asete që nuk ishin goditur në fushatat e mëparshme. Këtu bëjnë pjesë infrastruktura e komunikimit dhe objekte të tjera strategjike në vendet e Gjirit Persik. Kjo nënkupton se fushata e ardhshme, nëse nis, mund të jetë shumë më e gjerë, më e gjatë dhe më rraskapitëse sesa shpreson Uashingtoni”, shtoi ai.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se kjo retorikë nënkupton ndryshim të politikës. E përditshmja reformiste, Etemad, paralajmëroi se kërkesa për raketa me rreze më të gjatë veprimi, zotërimi i kapaciteteve teknike për t'i prodhuar ato dhe marrja e një vendimi zyrtar për ndryshimin e politikës, janë tri gjëra të ndryshme.
Jeremy Binnie, analist i mbrojtjes për Lindjen e Mesme në kompaninë globale të inteligjencës, Janes, ofroi një interpretim tjetër. Ai tha se referenca ndaj kufizimeve gjeografike mund të mos ketë të bëjë fare me distancën.
Sipas tij, Irani mund të ketë marrëveshje me një ose më shumë shtete arabe të Gjirit Persik për të mos i shënjestruar ato. Ai shtoi se ky është “një kufizim që mund të hiqet”.
Binnie tha se Irani ka pasur mundësi t'ua zgjerojë rrezen e veprimit raketave përtej 2.000 kilometrave, pasi rrezja mund të rritet duke zvogëluar peshën e kokës bërthamore.
Raketa Khorramshahr, e prezantuar në vitin 2017, është ajo të cilës mund t’i zgjerohet rrezja e veprimit. Sipas Binniet, ajo është “raketa më e fuqishme” e Iranit.
Ai tha se vlerësohet se kjo raketë mund të ketë rreze veprimi prej 3.000 kilometrash, nëse pajiset me një mjet rihyrës prej 750 kilogramësh, relativisht të vogël.
Kufizimi prej 2.000 kilometrash “kishte njëfarë logjike”, tha Binnie, pasi i mundësonte Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të godiste “pothuajse gjithçka që do t'i duhej të shënjestronte në rajon”, pa kërcënuar Evropën, me përjashtim të Qipros dhe disa ishujve grekë.
Për të arritur në Evropën Perëndimore, Iranit i duhet ta zgjerojë rrezen e veprimit të raketave të tij.
Sipas tij, objektivi më i dukshëm përtej kësaj distance do të ishte “Diego Garcia”, baza e përbashkët ushtarake amerikano-britanike në Oqeanin Indian, rreth 4.000 kilometra larg territorit iranian.
Britania e Madhe tha se Irani ishte përpjekur ta godiste këtë bazë më 20 mars, por kishte dështuar. Megjithatë, të paktën një zyrtar iranian e mohoi se ishte bërë një përpjekje e tillë. (REL)