Projektligji i ri, masa kundër komenteve të rreme dhe vlerësimeve me 5 yje në shitjet online

16 October 2026, 09:50Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Projektligji i ri, masa kundër komenteve të rreme dhe vlerësimeve

Komentet e rreme, vlerësimet artificiale me pesë yje dhe mënyrat manipuluese të reklamimit të produkteve në internet janë në fokus të ndryshimeve të propozuara në legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e konsumatorëve.

Projektligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i paraqitur në Kuvend, synon të vendosë rregulla më të qarta për praktikat tregtare në mjedisin digjital, duke zgjeruar mbrojtjen e blerësve përtej dyqaneve fizike, edhe te platformat e tregtisë elektronike.

Një nga problematikat që trajtohet është përdorimi i vlerësimeve të pavërteta për të ndikuar në vendimet e blerjes. Në shumë platforma online, komentet e klientëve dhe vlerësimet me yje janë ndër elementet kryesore mbi të cilat konsumatorët mbështeten për të zgjedhur një produkt apo shërbim. Por këto vlerësime mund të krijojnë një perceptim të gabuar për cilësinë, besueshmërinë apo popullaritetin e një produkti, kur nuk vijnë nga konsumatorë realë.

Sipas ndryshimeve të propozuara, tregtarët nuk duhet të paraqesin vlerësime si të ardhura nga konsumatorë që e kanë përdorur ose blerë produktin, nëse nuk kanë ndërmarrë hapa të arsyeshëm dhe proporcionalë për të verifikuar origjinën e tyre.

Po ashtu, synohet të ndalohet publikimi ose porositja e komenteve dhe vlerësimeve të rreme, si dhe manipulimi i tyre për të promovuar produkte të caktuara.

Jo vetëm komentet, por edhe renditja e produkteve

Ndryshimet prekin edhe mënyrën se si produktet shfaqen në rezultatet e kërkimit në platformat online. Kur një konsumator kërkon një produkt, renditja e rezultateve mund të ndikohet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë pagesat për promovim, marrëveshjet tregtare apo kriteret e përdorura nga platforma.

Projektligji synon që konsumatorët të informohen për parametrat kryesorë që përcaktojnë renditjen e produkteve dhe rëndësinë relative të tyre. Kjo do të thotë se një platformë nuk duhet të krijojë përshtypjen se një produkt shfaqet në krye të rezultateve vetëm për shkak të cilësisë apo popullaritetit, nëse pozicionimi i tij është ndikuar nga një pagesë promocionale që nuk i bëhet e qartë blerësit.

Transparenca në këtë rast është e rëndësishme, pasi pozicionimi në rezultatet e kërkimit mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhjet e konsumatorëve.

Një tjetër aspekt i ekonomisë digjitale që trajtohet nga kuadri i ri është përdorimi i ndërfaqeve online që mund të ndikojnë në mënyrë manipuluese te vendimet e konsumatorëve.

Këto praktika, të njohura ndërkombëtarisht si dark patterns, lidhen me mënyrën se si ndërtohen faqet dhe aplikacionet për t’i orientuar përdoruesit drejt një veprimi që mund të mos ishte zgjedhja e tyre në kushte të informimit të plotë.

Shembuj të këtyre praktikave janë vështirësimi i anulimit të një abonimi, fshehja e informacionit të rëndësishëm për pagesat ose përdorimi i elementeve vizuale që e bëjnë më të lehtë pranimin e një oferte sesa refuzimin e saj.

Sipas relacionit shoqërues, kuadri i ri ligjor synon vendosjen e sanksioneve proporcionale dhe me efekt parandalues ndaj praktikave të padrejta tregtare, përfshirë ato në mjedisin digjital. Megjithatë, dokumentacioni shoqërues nuk përcakton një vlerë konkrete gjobe për përdorimin e vlerësimeve të rreme në shitjet online./Monitor


Video