“Zgjedhjet e 11 Majit në nivelin e një vendi kandidat për në BE”, Celibashi: Komisionet dypartiake një dështim

9 September 2025, 12:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Zgjedhjet e 11 Majit në nivelin e një vendi kandidat për
Ilirjan Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë me gazetarët rreth procesit zgjedhor të 11 majit u ndal tek votimi nga jashtë.

Ai tha se është e nevojshme të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit të diasporës dhe mënyrës si do të llogaritet ajo.

“Sa i përket votimit nga jashtë ka nevojë bazuar në eksperiencën e parë të zhvillimit të tij, të rishikohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të vazhdojnë t’u jepet mundësia për të votuar përmes postës, nëpërmjet internetit përmes qendrave të posaçme që mund të ngrihen, por do duhet të diskutohet për këtë. Njëkohësisht do duhet të diskutojmë se si do llogaritet dhe ku do të llogaritet vota e votuesve nga jashtë. Besoj nuk do të ketë kthim mbrapa. Kam dëgjuar disa që thonë që ky proces nuk ka nevojë të zhvillohet. Personalisht jam kundër, por do duhet të konsiderojmë rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit dhe mënyrën e llogaritjes së votës së tyre”, tha Celibashi.

Komisionet dypartiake dështim, të rishikohet organizimi i tyre

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se do të duhet një reformë e plotë dhe e vërtetë zgjedhore. Ai i bëri thirrje partive politike që të rikonsiderojnë organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Po ashtu, sipas tij, duhet të konsiderohen rregullat që lidhen me financimin e parive pasi ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri.

“Vlerësoj që do të duhet në kuadër të një reforme reale të plotë dhe të vërtetë, partitë politike shqiptare si ajo e shumicës, apo ashtu ato të opozitës të rikonsiderojnë në kuadër të reformës zgjedhore, çështjet vijuese. Pikë së pari është ajo që ka të bëjë me organizimin e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm partiake e këtyre komisioneve tashmë qartësisht ka treguar se është një dështim le ta themi kështu sa i përket administrimit profesional dhe integritetit të procesit. Duhet të konsiderohen në mënyrë radikale rregullat që lidhen me financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Ka nevojë për qartësi dhe plotshmëri për këto rregulla sa i përket raportimit financiar, fuqizimit të kompetencave të KQZ-së për shqyrtimin dhe verifikimin e raporteve financiare”, tha Celibashi.

Ankimimet, jo më në Kolegj

Sa i përket ankimimeve, Celibashi tha se ka kaluar koha që ato të bëhen nga Kolegji Zgjedhor.

“Në instancë gjyqësore do duhet të mos jetë më Kolegji Zgjedhor organi që i shqyrton ankimet zgjedhore, mund të jetë gjykata administrative e zakonshme, ose e Shkallës së Parë, ose e Apelit, ose Gjykata e Lartë. Nuk e shoh me dobi që në kompetencën gjyqësore të shqyrtimit të ankimit ta ketë Kolegji Zgjedhor. Mund të ketë qenë zgjedhje shumë e mirë në fillimet e saj, por mendoj që sot jo”, tha Celibashi.

“Zgjedhjet e 11 Majit në nivelin e një vendi kandidat për në BE”

I pyetur se çfarë note ai i vë zgjedhjeve, Celibashi u shpreh se për këtë pret raportin e misionit të OSBE-ODIHR-it. Megjithatë shtoi se sipas opinionit të tij, zgjedhjet ishin të ngjashme me ato që bën një vend anëtar në BE.

“Unë kam thënë që zgjedhjet për mua do të kenë dhe kanë vetëm atë vlerësim që do të bëjë misioni i OSBE-ODIHR. Raporti përfundimtar i tyre nuk ka dalë, besoj për punë ditësh del dhe besoj se do të pranoj çfarë note do të vendosin ata. Përtej kësaj mendoj se ky proces zgjedhor, edhe pse opozita ka thënë që nuk i njeh dhe ky është një problem që të bën të mendosh se nuk ka mundësi që opozita të dalë në një qëndrim të tillë, por unë mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje të cilat i bën një vend kandidat për në BE. Pra atë vendin anëtar nuk di të them, kur të bëhemi vend anëtar do të them se si bëhen zgjedhjet”, tha Celibashi.

“Vendosni sa më shpejt për zgjerimin e votimit elektronik!”

Celibashi i bëri thirrje politikës që të vendosë sa më shpejt nëse do që të zgjerojë votimin në mënyrë elektronike në zgjedhjet e ardhshme apo jo, sepse nëse vendoset që po ky është një proces që sipas tij do të zgjasë në kohë.

“Duhet të konsiderohen rregullat që kanë të bëjnë me mënyrën e votimit, do të duhet përfundimisht të vendosim do ta zgjerojmë votimin elektronik apo jo, apo do të përdorim teknologji të tjera që lidhen me mënyrën e votimit në qendrat e votimit dhe do duhet që politika shqiptare të vendosë shpejt në lidhje me këtë çështje. Nëse dakordësohet për të zgjeruar votimin elektronik, ky vendim duhet të merret sa më shpejt, pasi koha që duhet për ta përgatitur këtë proces nuk mund të jetë 1-2-3-4 muaj.

Personalisht jam i idesë që ka vend për disa njësi zgjedhore me numër të madh votuesish që të aplikohet votimi elektronik në aspektin teknik, që kënaq të gjitha palët. Në çdo rast duhet të mbajnë në mend kostot që lidhen me këtë proces”, tha Celibashi.

Më tutje Kryekomisioneri tha se edhe numërimi është një çështje tjetër që do të duhet të rikonsiderohet.


Video