
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje gjatë konferencës për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz se, nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare ngelet në ngërç, do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut dhe hapjen e negociatave menjëherë, duke qenë se kushtet janë plotësuar.
Por mesa duket unioni mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij.
Ana Pisonero, zëdhënësja e shtypit për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë pranë BE-së, në një përgjigje për Albanian Post (AP), shkruan se, “qëndrimi i BE-së mbetet i qartë”.
“Presim me padurim nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me të dyja vendet, me mbajtjen sa më të shpejtë të Konferencave të Para Ndërqeveritare”, shkruan ajo.
Pisonero shton se, Këshilli Evropian vendosi në mars të 2020-ës të hapte negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të dyja vendet kishin plotësuar detyrat duke e merituar këtë.
Zëdhënësja e BE-së ka edhe një mesazh për Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo shprehet se unioni i inkurajon të dyja palët që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciproke për çështjet e mbetura pezull.
Zyrtarë të lartë të BE-së kanë ravijëzuar se të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por veto-ja bullgare ndaj MV-së mbetet penalizuese.