
SHBA ka përfshirë Sali Berishën në kategorinë ‘non grata’ së bashku me Ylli Ndroqin dhe Aqif Rakipin, por ish-Kryeministri nuk e ndjen veten pjesë të kësaj liste.
Ai thotë se nuk është informuar mbi motivacionet që janë shpallur non grata Rakipi e Ndroqi, por për emrin e vet këmbëngul se është lobim i Edi Ramës dhe i Sorosit.
“Lobim i pastër korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës. Sali Berisha është sanksionuar pa pasur asnjë lloj padie apo procesi. Nëse një proces vjen me fakte atëherë po. Unë nuk kam lexuar akoma motivacionin”, tha ai në një intervistë për Politiko.
Departamenti amerikan i Thesarit përfshiu në listën e personave të cilëve duhet t’u sekuestrohen pasuritë që kanë në SHBA, ose institucionet financiare amerikane Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin. Të parin e përfshiu me motivacionin e përfshirjes në organizata kriminale, ndërsa të dytin për përdorimin e pushtetit mediatik për zhvatje e shantazh.