VIDEO/ Belinda Balluku në SPAK, reagon kryeministri Rama!

25 October 2025, 13:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
VIDEO/ Belinda Balluku në SPAK, reagon kryeministri Rama!
FOTO: Belinda Balluku/ Edi Rama

Pas lajmit të bërë publik dje se zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur në SPAK ditën e hënë, reagimi i Edi Ramës nuk vonoi shumë, edhe pse ndoshta pa dëshirën e tij.

Ishte Deutsche Welle që ia bëri këtë pyetje në margjinat e një samiti jashtë vendit.

Mbi këtë çështje Rama dha përgjigjen standarde në raport njerëzit e tij që kanë probleme me drejtësinë.

“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet.

Dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës” u shpreh Rama përgjatë një interviste për DW.

Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.

Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.

Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022.

Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019.

Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.


Video