Një debat i ashpër është zhvilluar në seancën e sotme plenare mes ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja dhe deputetit demokrat Edmond Spaho.
Gjatë një debati mes Flamur Nokës dhe Ulsi Manjës, ndërhyri Edmond Spaho duke i përmendur ministrit të Drejtësisë përgjimet e dosjes së Dibrës.
“Një këshillë Manjaj, tregohu burrë sa Spiropali mos vepro kështu sa ikën Berisha dhe bën debat. Ju jeni ministër Drejtësie e keni për detyrë të jepni emra. Ti je kapur në përgjime më zë se çfarë i bëni ju zgjedhjeve”, tha Spaho.
Manja iu përgjigj: “Zoti Spaho nuk je personi i duhur për burrninë time, por voto ligjin e dosjeve për të treguar shërbimin që i bën kombit”.
Më pas Spaho i është drejtuar ministrit Manja të cilin e ka cilësuar si një “lehës”, ndërsa i ka kërkuar të vendosin një bast së bashku pasi ky i fundit i kërkoi të votojë ligjin për autoritetin e dosjeve. Deputeti i PD-së tha se nesër do të shkojë të tërheqë certifikatën nga Autoriteti i Dosjeve, ndërsa e pyeti Manjën nëse do të hiqte dorë nga deputetllëku nëse do ta sillte atë në kuvend.
“Një zotëri i njohur ka ndarë burrat në tri kategori, burra, gjysmë burra, burrecë dhe lehësa, një ndër ta është edhe Ulsi. Ulsi e bën shumë mirë këtë punë. Le të flasë, e bëri insinuatën që të rrëshkasë e të mos shkojë në gjyq. Aq e ka burrërinë. Unë e kam votuar ligjin që ta dish ti Ulsi për Dosjet edhe në vitin 2008, që ju e hodhët poshtë në Kushtetuese. Atë të votuarën e ligjit tregoja ndonjë tjetri jo mua. Unë kam mbajtur pozicione të ndryshme dhe besoj kam kaluar shkallët e verifikimit. Nuk ka çfarë më nxjerr as ti, as Rama dhe askush. Prandaj them lehës. Përdorni ligjin se keni synim të hidhni baltë mbi njerëzit. Unë të bëj thirrje të më kërkosh falje publike. Ose artikuloje siç duhet ose më kërko falje. Po të jesh burrë vëmë një bast. Nesër do shkoj në Autoritet. Ulsi meqë hiqesh si burrë do e bëjmë kështu. Do kërkoj certifikatën, kur ta sjell këtu a do heqësh dorë nga deputetllëku. A do heqësh dorë meqë qenke kaq i sigurtë?”, u shpreh Spaho nga foltorja.