"Nuk kam fjalë", ka qenë ky reagimi i ish-zv/ministrit Andi Mahila i cili u shkarkua nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
Në reagimin e tij për gazetarin Besmir Pula, ish-zv/ministri i Brendshëm ende nuk e beson që është shkarkuar se po pinte duhan në një restorant, ku sipas tij lejohej konsumimi i cigares.
"Po edhe në restorant në Shqipëri në vend ku lejohet duhani, po tani nuk ka vlerë fare këto. Një gjë, nuk kam fjalë dhe nuk kam thyer rregulla, për këtë kam bindje dhe jam i sigurtë domethënë”, tha ish-zv ministri për gazetarin, Besmir Pula.
Kujtojmë se në reagimin e saj ministrja Koçiu sqaronte se bëhet fjalë për një denoncim të ardhur nga New York nga një shtetas shqiptar.
Ky i fundit i ndodhur në një restorant me familjen e tij dhe Andi Mahilën, ishte ndjerë i bezdisur nga konsumimi i cigares në ambient të mbyllur nga zv.ministri.
Pas kësaj ankese, ministrja e Brendshme lajmëroi zëvendësin e saj për shkarkimin nga detyra për shkak të kësaj shkelje ligjore.