Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli dha një deklaratë për shtyp, ku iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.
Ajo u bëri thirrje që të mos e nënvlerësojnë zërin e tyre. Sipas saj, sot ata kanë mundësinë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe se kjo mbi të gjitha është edhe përgjegjësi.
“Kanë mbetur edhe 2-3 orë dhe fjala kyçe në të tilla raste është votoni, votoni, votoni. Mos nënvlerësoni zërin tuaj, ju keni edhe një fuqi më të madhe nga sa mendoni. Dyert e votimeve janë të vetmet dyer që hapen një herë në katër vite. Atë ditë, siç është sot, keni mundësi dhe mund të ktheheni në promovues të një kthese të madhe historike. Hyni te ajo derë. Votoni sepse vota nuk është vetëm e drejtë, por edhe përgjegjësi”, tha Topalli.
Ajo falenderoi edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që votuan, por edhe me mijëra të tjerë, që sipas saj kanë ardhur sot për të shprehur vullnetin e tyre.
“Falënderoj qytetarët jashtë që janë regjistruar dhe që kanë votuar për një kthesë historike. Me mijëra kanë ardhur sot për të sjellë një mesazh patriotizmi për të gjithë shqiptarët se ditën kur ata duhen janë këtu dhe dinë si të votojnë”, tha Topalli.