
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të egra antishqiptar që u hodhën në Kumanovë, gjatë ndjeshjes së Basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Reagimi i Elisa Spiropalit:
"Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.
Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.
Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.
Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.
Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.
Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje".
Sipas mediave shqiptaret në RMV, të cilat cila kanë publikuar pamjet, në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Koret vazhduan pavarësisht pranisë në sallë të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë. Ky nuk ishte momenti i vetëm provokues gjatë ndeshjes.
Përgjatë zhvillimit të saj, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Pas përfundimit të ndeshjes, nuk pati asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim falje nga organizatorët apo përfaqësuesit institucionalë për incidentin.
Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar ashpër Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik.
Ai shtoi se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik.