Ditën e sotme do të shënohet një ngjarje historike, pasi për herë të parë do të mbahet një mbledhje e përbashkët mes Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mbledhja e përbashkët mes dy parlamenteve do të mbahet me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe do të nisë në orën 10:00, në Kuvendin e Shqipërisë në Tiranë.
Në këtë mbledhje, deputetëve do t’iu adresohen kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit, Albin Kurti.
Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.
Kujtojmë se më herët kemi patur 8 mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive, teksa kjo është hera e parë që do të ndodhë mes dy Kuvendeve.
